Në 1 vit e gjysmë vetëm në Lezhë janë shitur 300 apartamente tek të huajt, duke e kthyer Lezhën në një destinacion të kërkuar.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili u shpreh se “300 apartamentet e shitura e kanë bërë Lezhën një destinacion real tashmë për të huajt”.

Duke folur mbi interesin e të huajve për Lezhën, Ndreu ndau momente nga takimi me një grup turistësh estonezë në sheshin “Gjergj Kastrioti”.

Po ashtu, ditën e sotme kreu i bashkisë Lezhë mirëpriti në zyrë edhe përfaqësuesit e një kompanie biznesi gjermane.

E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kune e Vain, si dhe nga plazhi i bukur i Shëngjinit, Lezha ofron bukuri natyrore të larmishme dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në një distancë të afërt.

Zona etnografike e Zadrimës, e cila shtrihet në pjesën veriore të Lezhës, është një pasuri e cila së fundmi po kthehet në atraksion të agroturizmit./ata