Kryeministri Edi Rama u ndal tek çështja e pensioneve me Greqinë ndërsa foli në një intervistë televizive për vizitën dhe takimin që zhvilloi me shqiptarët në Athinë.

Rama tha se marrëveshja me Greqinë është futur në proces dhe janë ngritur grupet e punës, ndërsa shumë shpejt do të materializohet një tjetër hap i madh.

Rama vuri në dukje se nv vitin 2013, e gjeti Shqipërinë me vetëm një njohje dhe sot janë arritur një seri njohjesh, ndërsa u mundësua edhe njohja më e vështirë me Italinë.

“Ka ardhur në pushtet një forcë tjetër dhe është një kryeministër tjetër dhe falë politikës tonë me Italinë dhe falë mënyrës si ne i jemi qasur Italisë morëm atë që quhej gjëja më e vështirë. Është një barrë e madhe financiare për Italinë njohja e pensioneve dhe për të thënë që marrëdhëniet me qeverinë greke dhe kryeministrin Mitsotakis unë mendoj që janë marrëdhënia më produktive që kemi pasur ndonjëherë mes Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Rama.

“Kemi marrëdhënie produktive sepse marrëveshja është futur në proces, pra ne kemi filluar kemi ngritur grupet e punës dhe ekspertëve. Ajo është negociatë, është proces dhe asnjëherë grekët nuk kanë pranuar që të ulen në tavolinë për të filluar diskutimet. Sa i përket dokumentave shumë shpejt do të materializohet një tjetër hap i madh, ai i lejeqëndrimit dhe ai i shtetësisë si e drejtë natyrale. Kjo është pjesë e strukturës dhe hapësirës së politikës greke ku mendoj që kemi hapur hapësira që nuk i kemi pasur”, tha Rama./ata