Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Italisë në Tirane, Fabrizio Bucci.

Spiropali shprehu mirënjohjen ndaj ambasadorit për nxitjen e partneritetit strategjik, marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Kuvendit, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë.

“Partneriteti Strategjik dhe bashkëpunimi i suksesshëm  mbështetet në marrëdhëniet miqësore historike mes dy popujve tanë”, vleresoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se Italia ka qenë dhe vijon të jetë avokate e fuqishme e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe për këtë meriton mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.

“Aktualisht të dyja vendet janë në një moment të rëndësishëm, intensiv dhe të veçantë bashkëpunimi. Pas ratifikimit nga Kuvendi, po fillon zbatimi i marrëveshjes së sigurimeve shoqërore, prej nga përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë në  Itali dhe mbi 4 mijë italianë në Shqipëri”, theksoi ajo.

Spiropali u shpreh se fillimi i zbatimit të Protokollit të Bashkëpunimit mes dy qeverive për emigrantët, është jo vetëm një gjest humanizmi, por një ndikim i Shqipërisë në sistemin global të emigracionit, në të cilin gjatë tre dekadave kemi pasur një pozitë vulnerabël dhe tashmë po shndërrohemi në një shtet kontribues.

“Mbështetja e Italisë për Kosovën, për pranimin e saj në Këshillin e Europës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, do të vijojë. Shqipëria dhe Italia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë e kontribuojnë për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë në rajon, Europë e më gjerë”, tha Kryetarja e Kuvendit./ata