Në drejtimin e kryetares Flutura Açka, u zhvillua sot mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u shqyrtuan dy projektligje.
Fillimisht komisioni shqyrtoi Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”.
Ky projektligj u prezantua nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, e cila u shpreh se marrëveshja në fjalë është në përputhje me programin e MEKI për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore me vendet e tjera dhe në përputhje me vizionin për të zhvilluar, forcuar, stimuluar dhe zgjeruar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë, të drejtave dhe barazisë gjinore si dhe pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve.
Relatori i çështjes, Ilir Topi, u shpreh se kjo nismë synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe vlerave të parashikuara nga traktatet e Bashkimit Europian duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara aktive në nivel lokal, rajonal, kombëtar e ndërkombëtar si dhe duke inkurajuar pjesëmarrje qytetare demokratike që të mbështeten dhe zhvillohen më tej shoqëritë e hapura të bazuara në të drejta demokratike të barabarta e gjithëpërfshirëse.
Relatorja e çështjes, Merita Bakiu, u shpreh kjo marrëveshje ka për qëllim zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e të drejtave, lirive, barazive dhe pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve, të drejtave dhe parandalimit të luftës kundër barazisë gjinore dhe të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve. “E shikoj më shumë si deklarative se sa funksionale sa i përket vendit tonë. Çdo ditë shkelen të drejtat e qytetarëve. Trajtohen ndryshe nga njerëzit e veshur me pushtet politik dhe ekonomik”- u shpreh Bakiu.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e Konventës Lubjanë-Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”, që u prezantua nga zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, i cili u shpreh se kjo konventë lehtëson bashkëpunimin ndërmjet shteteve që mosndëshkimi për krimet e rënda të mund të luftohet në mënyrë më efektive.
“Kjo konventë është nënshkruar nga 32 shtete palë më 14 shkurt 2024, konventë e re në të cilën ne po bëhemi pjesë në një kohë goxha efektive. Konventa parashikon marrjen e masave paraprake në subjekte që kryejnë vepra penale, përgjegjësi penale të personit juridik, përdorimin e teknikave speciale hetimore, mbrojtjen e të dhënave personale etj.”-u shpreh Dobi.
Relatorja e çështjes, Evis Kushi, u shpreh se konventa në fjalë konsiderohet një marrëveshje vendimtare në luftën kundër pandëshkueshmërisë së krimeve ndërkombëtare dhe për forcimin e drejtësisë penale. “Kur themi krime ndërkombëtare, flasim për gjenocide, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe të tjera që janë të përcaktuara në marrëveshje.”-u shpreh Kushi.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhë në tërësi projektligjin në fjalë./ata