Formula e shpërndarjes së buxhetit për pushtetin vendor do të rishikohet duke nisur nga ky vit dhe do të finalizohet plotësisht në vitin 2026. Ministria e Financave thotë se ndryshimi i formulës do të nisë në tremujorin e fundit të këtij viti, me synim që të përdoren të dhënat e reja të censit të popullsisë, dhe mbi bazë të tyre do të bëhet edhe shpërndarja e buxhetit për vitin 2025, e në vijim.

Aktualisht grantet që shkojnë për bashkitë si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve dhe rregullohen më tej duke ndjekur një ekuacion financiar bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat. Por transfertat bazohen edhe mbi funksionet e bashkisë për arsimin, vaditjen, administrimin pyjor, mbrojtjen nga zjarri apo rrugët rurale.

Për këtë viti transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave. Në Strategjinë për Menaxhimin e Financave publike thuhet se në vitin 2025 do të vlerësohet mundësia e rishikimit të formulës së granteve që jepen për bashkitë, në kuadër të reformës së decentralizimit, që bashkitë të bëhen më të pavarura financiarisht.

Po brenda kësaj periudhe do të punohet të ngrihet një sistem grantesh i bazuar në performancën e bashkive. Sipas strategjisë ky sistem do të nisë të ngrihet në tremujorin e tretë të këtij viti, dhe do të testohet për dy vitet e ardhshme.  Sipas strategjisë, të gjitha këto ndryshime bëhen për të fuqizuar më shumë bashkitë, dhe të shkojnë drejt një pavarësie financiare brenda vitit 2030.

“Synimi për vitin 2030 është që bashkitë të kenë sisteme të fuqishme të MFP-së dhe burime financiare të përshtatshme përmes mekanizmave transparentë të ndarjes dhe transferimit të të ardhurave dhe kapaciteteve të mbledhjes së të ardhurave që u mundësojnë atyre të ofrojnë shërbime publike në përputhje me standardet e aplikueshme”, thuhet në Strategji.

Aktualisht pushteti vendor ka vështirësi në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, dhe në mbledhjen e taksave, kryesisht ato të pasurisë apo të fjetjes në hotele.  Gjatë vitit të kaluar 61 bashkitë e vendit mblodhën në total 31.6 miliardë lekë nga 27,6 miliardë lekë që mblodhën në vitin 2022.

Ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti të ardhurat e bashkive janë rritur me 39.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. në total sipas të dhënave të  Ministrisë së Financave nga janari në mars pushteti vendor ka arkëtuar 7 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë në vitin 2023. Sa i takon borxheve, në fund të vitit të kaluar detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor zbritën në 4.8 miliardë lekë, nga 7.8 miliardë lekë që ishin në vitin 2022. Detyrimet më të mëdha pushteti vendor i ka për investimet të papaguara me 2.2 miliardë lekë.

DETYRIMET E PRAPAMBETURA
Viti 2022       7.822 mln lekë
Viti 2023       4.839 mln lekë
Rënia            -2.983 mln lekë
 
TË ARDHURAT E PUSHTETIT VENDOR
Viti 2022         27,638 mln lekë
Viti 2023         31,686 mln lekë
Rritja               +4,048 mln lekë
 
TË ARDHURAT E PUSHTETIT VENDOR
Janar-Mars 2023      5,070 mln lekë
Janar-Mars 2024      7,063 mln lekë
Rritja                        +1,993 mln lekë