Mungesa e trajtimit mjekësor dhe ushqimit si dhe privimi i së drejtës për të vijuar arsimin e mesën apo të lartë janë disa nga shqetësimet e ngritura nga Avokati i Popullit për të burgosurit.
Në raportin e dorëzuar në parlament zbulohen 279 ankesa lidhur me kushtet e jetesës ku në 35 raste janë konstatuar shkelje e të drejtave të njeriut.
Nga hetimet e bëra gjatë vitit, problematikë tjetër e evidentuar ishte dhe mosekzekutimi i vendimit për trajtimin e personave me çrrregullime të shëndetit mendor pavarësisht veprës penale që kanë kryer, për të cilët gjykata ka vendosur masën “mjekim i detyruar” apo “shtrim i detyruar”, në një institucion të posaçëm mjekësor.]
Gjithashtu Avokati i Popullit, jep informacione se mungesa e infrastrukturës në burgje është një tjetër shqetësim.
Janë evidentuar probleme me amortizimin, lagështirën, furnizimin me ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit, sigurimin e ndriçimit natyral dhe të ajrosjes së plotë të qelive, kushteve jashtë standardeve të tualeteve, kuzhinave, dusheve, ambienteve të ajrimit etj.
Mbipopullimi ka pësuar një rritje përgjatë vitit 2023 në sektorët e paraburgimit dhe në disa nga Institucione e vuajtjes së dënimit.
Por jo vetëm gjendja e të burgosurve. Avokati i Popullit ka hetuar gjithashtu dhe ankesat e punonjësve.
Ata janë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e privuar nga liria, përballen me jo pak vështirësi dhe japin çdo ditë kontribut për menaxhimin e sistemit penitenciar./OraNews