Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në fjalën e saj sot në Kuvend, ku u diskutua marrëveshja për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, u shpreh se kjo marrëveshje vjen pas një diskutimi të gjatë të disa qeverive shqiptare, që kurorëzohet vetëm tani.
Sipas saj, kjo marrëveshje duhet dhe do të marrë votën e gjithë deputetëve, por ajo kërkoi informacion se me cilat vende të tjera qeveria shqiptare po negocion marrëveshje të tilla, duke rikujtuar një marrëveshje me Greqinë që ende ka mbetur pezull.
“Së pari, besoj për të gjithë lind natyrshëm pyetja: Kush janë vendet e radhës me të cilat do vazhdojë qeveria shqiptare për të negociuar për pensionet dhe ku ndodhemi në lidhje me diskutimet me Greqinë që është vendi që ka numrin më të lartë të pensionistëve. A kanë avancuar diskutimet teknike? A kanë avancuar diskutimet me angazhimin politik? A kemi sot ndonjë informacion se ku ndodhemi për sa i përket negociatave të pensioneve dhe të mbi 700 mijë shqiptarëve që sot fatkeqësisht janë larguar në drejtim të Greqisë?” – u shpreh Tabaku.
Më tej ajo analizoi situatën e pensioneve në Shqipëri.
“Të dhënat janë kokëforta dhe ne nuk patëm mundësi që t’i diskutojmë të plota në Komisionin e Ekonomisë dhe si rezultat i zhurmës së përhershme, edhe kur interesohesh për të marrë informacione, bën keq. Por INSTAT thotë që rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2% për moshën mbi 65 vjeç, ndërkohë që në vitin 2022 pensionistët me pensionin tonë të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë sot 1 në 2 pensionistë e ka pensionin e pjesshëm. Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë që 85% e pensionistëve, kryesisht në fshat, i kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimumi jetik dhe është niveli i përcaktuar dhe i llogaritur nga EUROSTAT, sepse siç të gjithë e dimë, nuk kemi një nivel zyrtar të përcaktuar për sa i përket minimumit jetik”, tha Tabaku.
“Shpenzimet për sektorin që lidhet me pagesat e drejtpërdrejta në fushën e pensioneve kanë zbritur në nivelin e 7.3% të PBB krahasuar me vitin 2023, nga 7.8% që ishte ky tregues përpara pandemisë. Janë të gjithë tregues që tregojnë se sot politika e pensioneve dështoi, sot pensioni social i proklamuar, i deklaruar nga Qeveria këtu e 8 vite më parë, dështoi si një masë për të nxjerrë një shtresë të madhe të popullsisë dhe pensionistëve nga niveli i varfërisë. Dhe unë e besoj fort në fakt që të gjitha reformat të cilat prekin më shumë se mandatin e një qeverie, duhet të jenë reforma të përbashkëta, duhet të jenë reforma që prekin në thelb sistemin nga njëra anë, por nga ana tjetër janë dhe të qëndrueshme në kohë, që nuk ndryshojnë nga njëri vit në tjetrin”, u shpreh Tabaku në fjalën e saj në Kuvend.
Në fund, deputetja e PD, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane në Kuvend, falënderoi edhe senatorin Sant Agata për ndihmën e çmuar që ai dhe senatorë të tjerë italianë kanë dhënë për kalimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje në dy dhomat e parlamentit italian./ata