Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ndodhet në Prishtinë ku po merr pjesë në aktivitetin e përbashkët treditor mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për shkëmbimin e praktikave zgjedhore dhe sfidat me të cilat përballemi në proceset e ardhshme zgjedhore.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve është forcuar dhe ka dhënë rezultate të prekshme për të dy palët. Dy KQZ-të kanë eksperienca sa të ngjashme aq edhe të ndryshme në proceset zgjedhore, ndaj shkëmbimi i këtyre përvojave do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe marrjen e masave për mirëorganizimin e proceseve zgjedhore.
Celibashi solli në vëmendje votimin nga jashtë të shtetasve të Kosovës, përvojë e cila do t’i shërbejë KQZ-së së Shqipërisë në përgatitjen e procesit të votimit nga jashtë të shtetasve shqiptarë në 2025.
Ndërsa, kryesuesi i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi vuri theksin tek bashkëpunimi i mirë mes dy institucioneve dhe qasja e qëndrueshme e ndarjes së përvojave në mënyrë të vazhdueshme.
Bashkëpunimi mes dy KQZ-ve në shumë raste është pasuar me ndihmë konkrete dhe mbështetje logjistike ndaj Radoniqi solli në vëmendje huazimin e kamerave për nevoja të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve gjatë zgjedhjeve lokale të viti 2021 dhe gjatë procesit të votimit të datës 21 prill 2024.
Qëllimi i këtij aktiviteti të përbashkët është forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave të deritanishme mbi informimin dhe edukimin e zgjedhësve, identifikimin elektronik të tyre, raportimin digjital të financave të partive politike dhe votimin nga jashtë./ata