Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot parimisht ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile”. Ndryshime të cilat mundësojnë akses të lehtësuar të qytetarit dhe me kosto më të ulët në shërbimet civile.
Zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila, paraqiti ndryshimet ligjore tek Komisioni për Sigurinë Kombëtare. “Fokusi ynë me këto ndryshime është tek qytetari. Qëllimi është aksesi i qytetarit tek shërbimet e Gjendjes Civile, duke i lehtësuar procedurat burokratike dhe kostot e tyre. Synohet modernizimi i shërbimeve, konsolidimi i infrastrukturës digjitale, si instrument për të luftuar korrupsionin dhe për rritur shpejtësinë e shërbimeve ndaj publikut”, tha Mahila.
“Prej 1 majit 2022 shërbimi i Gjendjes Civile ka kaluar në 80% të volumit të shërbimeve online, duke arritur që në këto 2 vite të kemi rreth 11.5 milionë certifikata elektronike të dhëna qytetarëve, dhe nëse do ta kalkuloja këtë sasi shërbimesh, së pari, në vlerë monetare do të thoja që për shkak të këtij niveli digjitalizimi ne jemi në nivelin e kursimit të qytetarëve të rreth 13 milionë eurove”, tha Mahila.
Duke folur për objektivat e ndryshimeve ligjore, Mahila tha se “duam të nxisim investime në zona kyçe të informatikës së avancuar, por edhe të përpunimit të të dhënave, të inteligjencës artificiale, të sigurisë kibernetike dhe të aftësive të përparuara digjitale të nevojshme për t’i zhvilluar këto kapacitete. Të shërbejë si një katalizator për të koordinuar projektet e sektorit publik dhe për modernizimin e aksesit në teknologjinë informatike”.
Ai tha se “nisma është e rëndësishme edhe në drejtim të nevojës për parashikimin e sanksioneve, përmes kufizimit të marrjes së shërbimit të Gjendjes Civile, me qëllim nxitjen e deklarimit të vendbanimit”, tha më tej Mahila.
Ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria përmbajnë 6 risi.
“Së pari, plotësojmë kuadrin ligjor për të mundësuar kalimin e mëtejshëm të shërbimit të Gjendjes Civile online. Kemi kaluar një pjesë dhe na duhet të kalojmë edhe një pjesë tjetër dhe këtë duhet ta mbështesim me kuadër ligjor. Së dyti, lidhet me saktësimin e përkufizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit, me qëllim harmonizimin e tyre edhe sipas Kodit Civil”.
“E treta, ka të bëjë me një problematikë që ka të bëjë me trajtimin e rasteve kur fëmijët lindin fatkeqësisht të vdekur, me qëllim pasqyrimin e saktë edhe në regjistrat edhe në përllogaritjet demografike”, tha Mahila.
“E katërta, ka të bëjë me adresimin e fenomenit të martesave fiktive, që kryesisht i referohen shfrytëzimit të artificës ligjore të marrjes së mbiemrit të bashkëshortëve”, vijoi ai.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ngriti shqetësimin se mos ndryshimet ligjore prekin edhe emigrantët që do të strehohen në Shqipëri për llogari të Italisë. Sipas Mahilas, nuk kanë asnjë lidhje mes tyre. “Dua të sqaroj pjesën e marrëveshjes që ju sollët për referencë me Italinë, për pjesën e refugjatëve, marrëveshja me Italinë, ose sistemi i azilit që krijohet për çështje të refugjatëve. Ata të huaj që do vijnë këtu në tokën tonë, që Shqipëria i ka vënë në dispozicion shtetit italian, s’kanë të bëjnë fare me sistemin tonë të azilit. Ata s’kanë lidhje fare me ne, shteti shqiptar i ofron shtetit italian, që sipas legjislacionit të tij të zbatojë në një pjesë të territorit tonë. Kjo mund të vlejë për ata refugjatë që vijnë në vendin tonë dhe bëhen pjesë e sistemit tonë të azilit. Ata lidhen me Italinë, s’kanë asnjë lidhje me procedurat këtu”, tha Mahila.
Në fund komisioni për Sigurinë Kombëtare votoi në parim ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria tek ligji “Për Gjendjen Civile”./ata