Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka pranuar se situata në fushën e betejës është e vështirë, veçanërisht në rajonet Donetsk dhe Kharkiv.
"Është e nxituar të nxjerrim konkluzione përfundimtare, por ne e kemi situatën nën kontroll", tha Zelenskyy në platformën Telegram, duke theksuar se komandanti i përgjithshëm, Oleksandr Syrskyi, po mbikëqyr drejtpërdrejtë operacionet luftarake duke u angazhuar në mënyrë aktive me brigadat në pozicionet e vijës së parë.
Zelenskyy konfirmoi raportet për lëvizjet e trupave nga qyteti Chasiv Yar në rajonin Donetsk, duke theksuar: "Ne kemi përforcuar drejtimet, përfshirë ato të Kharkivit".
Më herët gjatë ditës, Zelenskyy anuloi udhëtimet e planifikuara në Portugali dhe Spanjë për shkak të kushteve sfiduese të vijës së frontit.
Ndërkohë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS pretendoi se një grup trupash ukrainase ishin rrethuar pranë qytetit Chasiv Yar, me forcat ruse që siguruan perimetrin duke përdorur artileri dhe armë të tjera me rreze të gjatë për të parandaluar ushtrinë ukrainase të largohet nga zona.
Në një njoftim tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se Ukraina i intensifikoi sulmet duke përdorur raketa ATACMS të prodhuara nga SHBA-ja dhe se 10 prej tyre u kapën gjatë natës.
"Sistemet e mbrojtjes ajrore kapën me sukses 10 raketa taktike ATACMS mbi Gadishullin e Krimesë", tha ministria ruse./aa