Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka folur mbi ligjin e privatëzimit të pronave shtetërore, duke e cilësuar si një plaçkë të radhës për këdo që ka një investim strategjik. Sipas saj, Parlamenti me ligje të tilla po nxit dhe po promovon korrupsionin, në vend që t’a luftojë.
Tabaku tha se nëse Shqipëria po vuan sot, është pasojë e këtyre ligjeve dhe sjelljes zaptuese të qeverisë që nuk mendon për të mirën publike.
“E kanë mendjen tek pakica dhe jo tek shumica”, shprehet deputetja demokrate.
Fjalimi i Tabakut:
Java që u mbyll nuk qe me bilanc pozitiv për parlamentin. Një ligj tjetër i rradhës në listën e gjatë të ligjeve të kapura u miratua dhe i cili nuk e lufton korrupsionin por thjesht e nxit dhe e promovon atë. Jemi në një moment ku parlamenti duhet të merrte rol në luftë kundër korrupsionit.Ku çdo ligj e akt që miratohej duhet të ishte patjetër në këtë frymë. Ndërkohë që ligji që kaloi, që lidhet me ligjin e privatizimeve thjesht bën të mundur që prona shtetërore tashmë të konsiderohet si plaçka e radhës për këdo që ka një investim strategjik, për këdo që do të marrë një leje zhvillimore dhe të jipet për këmbim nga publiku tek privati; nga privati tek publiku dhe të trajtohet sikur është pronë personale. Nëse sot Shqipëria vuan është pikërisht prej ketyre ligjeve është pikërisht prej sjelljes zaptuese që nuk mendon. Që nuk mendon që pronën publike ta vendosë në dispozicion të pronarit legjitim, që nuk mendon për të mirën publike, që nuk mendon për luftën kundër korrupsionit edhe kur bëhet fjalë për çështjen e pronës. Por gjithmonë e në çdo vendim e kanë mëndjen tek pakica dhe jo tek shumica. Parlamenti duhet të ketë një frymë e një qasje që në çdo ligj të marrë parasysh luftën kundër korrupsionit./GazetaShqiptare