Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sfidat e Zhvillimit të Turizmit të Qëndrueshëm” CONFTOUR 2024, të mbajtur në Shkodër.

Muzhaqi u shpreh se, vitin e fundit, Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës.

“Kemi përjetuar një bum prej 10 milionë turistësh të mahnitur nga bukuritë natyrore, mikpritja dhe kulinaria e vendit tonë”, tha ajo.

Por, shtoi Muzhaqi, “për të siguruar vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtij ritmi, është thelbësore ofrimi i sigurisë dhe cilësisë për turistët”.

Muzhaqi theksoi se të rinjtë luajnë një rol të rëndësishëm në turizëm, si promovues dhe si forca punëtore që drejton industrinë e turizmit, hotelerisë dhe mikpritjes, prandaj vijoi ministrja, “po punojmë për të përshtatur arsimin profesional dhe të lartë  për të përgatitur brezin e ri për ti bërë ballë sfidave të turizmit të qëndrueshëm”.

“Ndërgjegjësimi i tyre mjedisor dhe qasjet inovative shtyjnë industrinë e turizmit drejt praktikave dhe  rezultateve më të qëndrueshme”, theksoi Muzhaqi./ata