Në rang vendi, detyrimet e prapambetura për 2023 nga 61 bashkitë u ulën me rreth 20%, krahasuar me vitin 2022, sipas raportit “Qeverisja Qendrore në Shqipëri” të Institutit të Bashkive të Shqipërisë. Totali i detyrimeve të prapambetura për 2023 arrin në vlerën e 4,75 mld lekëve, kundrejt vlerës prej 5,9 mld lekë.
Pavarësisht ecurisë për reduktimin e detyrimeve të prapambetura, 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura ku spikasin bashkia Durrës (+201 milionë lekë), bashkia Lezhë (+75.4 milionë lekë), bashkia Elbasan (+74.3 milionë lekë) dhe bashkia Klos (+53.7 milionë lekë). Nga ana tjetër, vërehet ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga bashkia Tiranë (-391.6 milionë lekë), bashkia Dibër (-219.6 milionë lekë), bashkia Kuçovë (-156.5 milionë lekë), dhe bashkia Pustec (-145.9 milionë lekë).