Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka nisur prej kohësh një projekt, i cili synon të ndihmojë autoritetet kombëtare në uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.

Për të mësuar më shumë mbi ecurinë e këtij projekti me karakter ndërgjegjësues, e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte përfaqësuesja e Zyrës së OSBE-së në vendin tonë, Xhenis Bllaço.

“Ky projekt ka 3 donatorë kryesorë që janë BE, Franca dhe Gjermania. Kjo nuk është një fushatë, por një strategji e mirëfilltë.

Disa javë më parë kemi firmosur një memorandum me Ministrinë e Brendshme dhe me disa organizata të shoqërisë civile dhe është si vijim i disa nismave të mëparshme që kemi ndërmarrë në këtë proces dhe është rezultat vetë strategjia që ne kemi hartuar për përdorimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe ndërgjegjësimin e popullatës mbi rreziqet e këtyre armëve.

 

Në 5 vitet e fundit ka një numër të konsiderueshëm të armëmbajtjes pa leje, janë mbi 1500 raste të hasura tek meshkujt. Por gjithashtu, ka dhe femra që mbajnë armë, që mbase nuk kanë qenë aktive, por ama kanë qenë viktima të këtij procesi të mbajtjes pa leje të armëve.

Ka një numër të konsiderueshëm të armëve të zjarrit në popullatë që nga viti 1997. Fushata jonë ka disa mesazhe strategjike, dhe ato janë të shtrira në kohë”, theksoi ndër të tjera Xhenis Bllaço./OraNews