Ministria e Turizmit ka reaguar për Euronews Albania lidhur me kontejnerët me mbetje toksike.
Bloomberg ka shkruar këtë të martë se zyrtarët shqiptarë po hetojnë se si 800 ton mbetje industriale të dyshuara të rrezikshme u transportuan nga porti i saj pa autorizim, me destinacion Azinë Juglindore, pasi ngarkesa e dyshuar do të kthehej mbrapsht.
Mbetjet e rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare së bashku me institucionin e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF i përkasin kompanisë pranë Metalurgjikut në Elbasan Kurum.
Anija me mbetjet toksike u nis nga Durrësi në 4 korrik. Pas alarmit nga qendra Basel, ajo fiku sinjalin GPS në 31 korrik teksa po i afrohej Cape Town në Afrikën e Jugut.
Në reagimin e saj Ministria e Turizmit ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës, ndërsa ka theksuar se institucionet ligjzbatuese janë angazhuar dhe po kryejnë veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF).
Ministria e Mjedisit deklaron se mbetjet e kompanisë KURUM u ngarkuan në Durrës në kontejnerët në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet të jenë transportuar drejt Portit të Triestes.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Turizmit për Euronews Albania
“Në përgjigje të interesimit tuaj në lidhje me dyshimet mbi transportin e parregullt të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga procesi teknologjik, sqarojmë se për këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.
Sa më sipër, ju informojmë se institucionet ligjzbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF) si dhe kanë referuar rastin pranë organeve të prokurorisë.
Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS.
Në vijim, këto njësi kontejnerike, në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet se janë transportuar drejt Portit të Triestes përmes anijeve kontejnerike ndërkombëtare. Në këtë port të Bashkimit Evropian njësitë kontejnerike nuk kanë qënë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuar nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar (Maersk), me destinacion Azinë Juglindore.
Vlen të theksojmë se konventat ndërkombëtare, dhe legjislacioni vendas i përputhur me to, parashikojnë një serë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbetjeve të tilla. Zbatimi i këtyre detyrimeve është gjithashtu objekt i hetimeve në proces.
Autoritetet mjedisore, portuale dhe doganore shqiptare operojnë prej vitesh me protokolle shumë të rrepta për sa i përket autorizimeve të përpunimt dhe transportit të mallrave të rrezikshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare përkatëse. Për më tepër kjo gatishmëri e institucioneve tona kombëtare është verifikuar dhe çertifikuar edhe nga inspektime të vijueshme ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë si një vend të sigurt.
Institucionet shqiptare mbeten në kontakt dhe bashkëveprim me partnerët evropianë për kryerjen e hetimeve të plota dhe transparente të të gjitha rrethanave dhe të të gjithë hallkave logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Europa në Azinë Juglindore”./EuroNews