Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani deklaroi sot se, vetëm 8.5% e të paraburgosurve janë për llogari të SPAK.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2023, Dumani theksoi se, “jemi prokurorë, por ne në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitorë. Detyra jonë është të hetojmë, të mbledhim prova dhe mbi bazën e tyre të arrestojmë dhe këtë e bëjmë në respekt të plotë të parimit të procesit të rregullt ligjor, ku mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke pasur parasysh shumë mirë se shumë nga subjektet tona janë zyrtarë që përfaqësojnë shtetin shqiptar”.
Ai shtoi se, shifrat janë kokëfortë në lidhje me politikën penale.
“Paçka se hetojmë krimin e organizuar, sot ndër më të fuqishmit në botë dhe në një nivel të sofistikuar subjektesh, masa arrest në burg në kërkesat tona zë vetëm 49% të totalit, për të cilat është kërkuar ose jo një masë sigurie. Aktualisht, numri total i të paraburgosurve nëpër institucionet e vuajtjes së dënimit është 2817, ku vetëm 237 të paraburgosur janë për llogari të SPAK. Pra, të paraburgosurit nga SPAK zënë vetëm 8.5%”, tha Dumani.
Nga të dhënat statistikore, shtoi Dumani, “rezulton se gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 79 vendime gjykate të formës së prerë. Nga këto 22 vendime kanë marrë formë të prerë në shkallë të parë dhe 57 vendime kanë marrë formë të prerë në gjykatën e Apelit. Janë dënuar me vendim të formës së prerë 269 të pandehur, nga të cilët me burgim janë dënuar 160 persona, ose afërsisht 60% e totalit, me kusht apo prove janë dënuar 91 persona, afërsisht 34% e totalit. Me orë punë janë dënuar 10 persona, afërsisht 4% e totalit. me gjobë janë dënuar 2 persona, ose 1% e numrit të përgjithshëm të të dënuarve”.
“Gjatë vitit 2023, përveç deklarimit fajtor dhe masës së dënimit me burgim apo me kohë prove, janë dhënë edhe dënim plotësues ndalim për të ushtruar funksione publike për 85 persona”, tha Dumani./ata