Nëse jeni gati për një eksperiencë të veçantë dhe plot adrenalinë, kjo është koha e duhur për të bërë rafting në Osum. Arsyet na i tregon Alma Spathara, guidë profesionale e sporteve në natyrë që prej dy dekadash shoqëron turistët.
“I gjithë grupi ishte nga Hollanda, një grup me një moshë mesatare. Ata bënë itinerarin nga fshati Fushë Peshtan deri te ura e vjetër e Goricës. Është një aktivitet fantastik në natyrë i cili të krijon mundësinë të shikosh të gjitha fshatrat rreth e përqark lumit Osum dhe pastaj bukuritë e lagjeve të vjetra Mangalem dhe Goricë”, shprehet Alma Spathara.
Ne ndoqëm lundrimin e 25 turistëve nga Danimarka dhe Hollanda, duke nisur nga fshati Fushë -Peshtan, për të vazhduar përgjatë Osumit në një terren jo të vështirë dhe për të mbërritur tek ura e Goricës në qytetin e Beratit.
“Zgjodhëm të vijmë në Shqipëri për rafting për të eksploruar natyrën nëpërmjet lumit, që është një experience unike” thotë një turist.
Nga viti në vit numri i turistëve që kërkojnë sportet ujore, të aventurës është rritur, ndaj “Rafting Albania” është në kërkim të stafit. Të huaj vijnë në Shqipëri jo vetëm për argëtim por edhe për punë. I tillë është rasti i Sebastianit, i cili nga Kili ka ardhur në Shqipëri për të punuar guidier.
“Të punosh me djem e vajza shqiptare është shumë bukur. Më pëlqen puna këtu ju keni natyrë të bukur, qyteti gjithashtu. Po ndjehem shumë mirë këtu”, shprehet Sebastiani.
Nëse i referohemi shifrave të operatorëve turistike, rezervimet për pikun e sezonit nga Maji në Shtator janë 30 për qind për të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar./Shqiptarja