"Reporterët pa Kufij" (RSF) paraqitën për herë të tretë ankesën në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) për hetimin e krimeve të luftës kundër gazetarëve palestinezë gjatë sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Në deklaratën e bërë në faqen zyrtare të RSF-së thuhet se ankesa e paraqitur në GJNP është bërë për krimet e kryera ndaj të paktën 9 gazetarëve palestinezë nga 15 dhjetori 2023 deri më 20 maj 2024 dhe për më shumë se 100 gazetarë që janë vrarë në sulmet e Izraelit që nga 7 tetori e deri më tani.
"RSF ka arsye për të besuar se disa nga këta gazetarë janë viktima të vrasjeve të qëllimshme dhe të tjerët janë viktima të sulmeve të qëllimshme nga ushtria izraelite kundër civilëve", thuhet në deklaratën në të cilën kërkohet hetim për vrasjet që "eliminojnë mediat palestineze".
Më tej përfshihet deklarata e Antoine Bernard, drejtorit të RSF i cili ka thënë se "Pandëshkueshmëria rrezikon gazetarët jo vetëm në Palestinë, por në të gjithë botën. Ata që vrasin gazetarët sulmojnë të drejtën e shoqërisë për informacion, e cila bëhet edhe më themelore veçanërisht në kohë lufte. Ata që e bëjnë këtë, duhet të mbahen përgjegjës. Për këtë qëllim, RSF do të vazhdojë të punojë në solidaritet me gazetarët në Gaza deri në fund".
Paraqitja e ankesës e cila bëhet për herë të tretë, përfshin shumë gazetarë, duke përfshirë Hamza al-Dahdouh dhe Mustafa Thuraya, gazetarë të pavarur që punonin për televizionin Al Jazeera, të cilët humbën jetën pasi u sulmuan nga Izraeli në Rafah më 7 janar.
RSF gjithashtu paraqiti ankesë në GJNP në nëntor dhe dhjetor 2023 për hetimin e krimeve të luftës të kryera kundër gazetarëve palestinezë./aa