Në Durrës u zhvillua sot mbledhja e këshillit konsultativ të pushtetit vendor, ku ishte i pranishëm ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe 9 kryetarë të bashkive të mëdha të vendit.

Në këtë takim u diskutua për reformën e pagave të pushtetit vendor dhe strukturën e reformuar të bashkive, për modelin e aparatit të bashkive si dhe agjencive të funksioneve dhe shërbimeve, për numrin referencial të punonjësve për çdo bashki si dhe për kategoritë e pagave.

Ministri Mazniku në një postim në rrjetet sociale tha se “në takim folëm për shtyllat kryesore në të cilat do të ristrukturohet stafi i pushtetit vendor për të rritur efikasitetin e dhënies së shërbimeve për qytetarët”.

“Aparati i bashkisë do të bëjë politikat, si dhe do të ketë rol monitorues dhe rregullator. Funksionet dhe shërbimet do të jenë struktura më vete, të cilat do të zbatojnë projektet në terren”, tha Mazniku.

Ministri Mazniku u shpreh se “rritja e pagave brenda verës është një arritje kryesore me të cilën synojmë të garantojmë burime njerëzore për bashki të afta dhe konkurruese me tregun”./ata