Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja prezantoi sot disa ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve, në Komisionin e Ligjeve.
Manja gjatë fjalës së tij tha se, këto ndryshime reflektojnë zgjidhjen e atyre problematikave që janë hasur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji, ku renditi edhe disa nga ndryshimet e propozuara.
“Ndryshimi i parë që ne propozojmë në këtë ligj, është që ne propozojmë që në Nenin 4 të ligjit ekzistues të kemi një ndryshim sa i përket dhënies së të drejtës së punonjësve të Policisë së Burgjeve për të mbajtur armë brezi dhe pajisje të tjera kufizuese. Me këtë ndryshim zgjidhim një problematikë që u krijua me heqjen e kësaj të drejte për këta policë, e cila në vlerësimin tonë ka cenuar të drejtën e sigurisë së jetës për këta punonjës. Pra punonjësit e Policisë së Burgjeve me këto ndryshime do të kenë të drejtën njëlloj si kolegët e tyre në çdo forcë policore të rifitojnë të drejtën për të mbajtur armë brezi sipas kushteve dhe kritereve që do të përcaktohen në VKM”, tha Manja.
Ai shtoi se, “një tjetër ndryshim që propozojmë ka të bëjë me trajtimin ekonomik dhe financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Shtojmë një parashikim ligjor që ka të bëjë me të drejtën për përftim kredie në kushte lehtësuese edhe për punonjësit e Burgjeve, njësoj siç e gëzojnë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Forcat e Armatosura. Pra me këto ndryshime edhe punonjësit e Policisë së Burgjeve do të kenë të drejtën e kredisë për strehim në kushte lehtësuese. Kjo u jep të drejtën familjeve të reja të këtyre punonjësve, ata që kanë fëmijë për shkollim, por edhe të atyre që transferohen apo punësohen në një rreth tjetër nga aty ku kanë vendbanimin”.
Manja tha se, “ndryshimi tjetër ka të bëjë me kriteret për pranimin në Policinë e Burgjeve, ku ne saktësojmë që nuk do të pranohen në Policinë e Burgjeve persona qe janë dënuar me burg me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje brenda periudhës së rehabilitimit, për vepra penale të kryera nga pakujdesia që cenojnë figurën dhe integritetin e këtij punonjësi,dhe për vepra penale të kryera me dashje, që megjithëse janë rehabilituar, ato vepra cenojnë figurën e punonjësit”.
Ministri shtoi se, “gjithashtu një tjetër kriter ndalues që propozojmë për pranimin në Policinë e Burgjeve është kur ndaj subjektit janë marrë masa të sigurimit personal arrest me burg ose arrest në shtëpi për kryerjen e një vepre penale ose kur subjekti merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje”.
Në fund Manja tha se, një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me kufirin e moshës për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve që ka qenë deri në 35 vjeç, gjë e cila na kishte krijuar një problematikë në plotësimin e vakancave që ne kemi në radhët e Policisë së Burgjeve.
Ai tha se, duke hequr këtë kufizim ne zgjidhim këtë problematikë.