Një delegacion i sistemit gjyqësor në Britaninë e Madhe, i kryesuar nga Lord Justice James Dingemans, ishte sot në Tiranë. Gjatë vizitës, delegacioni britanik është takuar me krerët e Gjykatës së Lartë, ku është theksuar nevoja për forcimin e bashkëpunimit me qëllim sundimin e ligjit në kuadër të një beteje sa më efektive në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Gjykata e Lartë dha detaje nga takimi duke theksuar se në takimin e delegacionit me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe anëtarë të tjerë të trupës gjyqësore,  u zhvilluan biseda mbi mënyrën se si sistemet tona gjyqësore do të punojnë së bashku për të mbështetur gjyqtarët e Shqipërisë dhe për të zbatuar sundimin e ligjit në mënyrë më efektive në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Sipas njoftimit nga Gjykata e Lartë, Sadushi është shprehur se gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës së Lartë, rikonfirmojnë vullnetin e tyre për të bërë përpjekjet maksimale në kuadër të mirëadministrimit të drejtësisë si edhe për të punuar së bashku për të zhvilluar marrëdhëniet tona të ndërsjella në fushën e gjyqësorit./ata