Në Shqipëri është mbajtur Forumi Global Politik, në kuadër të Ministerialit për Arsimin e Lartë Evropian dhe Procesin e Bolonjës, me fokus diskutimet mbi Procesin e Berlinit, mundësitë dhe sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike dhe sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë, ndërkohë në fund të punimeve të ministerialit është miratuar edhe një deklaratë e përbashkët.

Në ambinetet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit e Rumanisë, Ligia Deca dhe ministri i Arsimit dhe Kërkimit Shkencor i Moldavisë, Dan Perciun, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, me fokus punimet e ministerialit.

Ministrja Manastirliu, në fjalën e saj në konferencë u shpreh se patën mundësi të dilnin me një deklaratë të përbashkët dhe sipas saj deklarata e ministerialit është miratuar nga të gjitha vendet.

Duke iu referuar deklaratës në fjalë, ajo tha se vendet pjesëmarrëse janë angazhuar të punojnë së bashku në mënyrë që të arrijnë standardet më të mira sa i përket kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë.

"Të gjithë së bashku jemi angazhuar për të rritur standardet e cilësisë në programet e studimit për të gjitha vendet, për të mundësuar njohjen reciproke të diplomave dhe sigurisht ky objektiv madhor patjetër që kërkon dhe një plan veprimi shumë sistematik për të mundësuar që të shkojmë tek njohja reciproke e diplomave. Angazhohemi në mënyrë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar parimet kryesore të cilat ne na bëjnë bashkë në Zone Evropiane të Arsimit të Lartë dhe që kemi të bëjmë më liritë akademike , vlerat e integritetit akademik dhe autonominë institucionale", tha ajo.

Manastirliu u shpreh se në tjetër aspekt i rëndësishëm është forcimi i kërkimit shkencor dhe i bashkëpunimit mes vendeve.

Ministrja Deca u shpreh se Zona Evropiane e Arsimit të Lartë përfshin dyfishin e anëtarësisë që ka Bashkimi Evropian dhe shtoi se "këtu kemi një Evropë më të madhe që mbështetet në vlera të përbashkëta".

"Ky është një nga rezultate kryesore të deklaratës dhe konferencës së Tiranës, fakti që kemi operacionalizuar vlerat themelore që na bëjnë të gjithë neve evropianë dhe kjo garanton që ne të kemi besim ndaj njëri-tjetrit", tha Deca.

Deca theksoi se Evropa mund të qëndrojë e bashkuar dhe njerëzit mund të lëvizin lirshëm nëse njohim diplomat dhe kualifikimet e njëri-tjetrit dhe cilësinë e arsimit të njëri tjetrit

Ministri Perciun tha se të tilla ngjarje janë të rëndësishme për të rinjtë e Evropës sepse sjellin më shumë mundësi për lëvizshmërinë.

"Studentë nga mbarë Evropa do të kenë mundësinë të lëvizin dhe studiojnë pjesërisht në të gjithë kontinentin dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar risitë kulturore apo dhe aftësitë e reja", u shpreh Deca.

Türkiye në këtë ministerial u përfaqësua nga kryetari i Këshilli të Arsimit të Lartë (YÖK), Erol Özvar, i cili gjatë vizitës së tij në Shqipëri realizoi dhe takime me zyrtarë të ndryshëm.

Konferenca për mediat mbylli punimet e ministerialit dyditor në Tiranë dhe i hap rrugën kalimit nga Shqipëria të drejtimit të grupit të punës të sekretariatit të BFUG-së (Bologna Follow Up Group) Rumanisë dhe Moldavisë si dhe organizimit të Konferencës Ministrore në vitin 2027.

Ministeriali u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, duke mbledhur së bashku përfaqësues të lartë të arsimit nga Zona Evropiane e Arsimit të Lartë (ZEAL) dhe vende të tjera./aa