Komisionin e Posaçëm AntiKorrupsion, kryetari i LZHK, Dashamir Shehi e sheh si një mjet për t’i bërë presion drejtësisë, veçanërisht SPAK dhe GJKKO. Në një konferencë me gazetarët, Shehi tha se kjo lëvizje e mazhorancës është një teatër dhe nuk ka si synimin luftën ndaj korrupsionit.

“LZHK nuk është dakord me këtë komision, prandaj nuk e kemi votuar. Pozicioni i opozitës ka qenë pozitiv që nuk mori pjesë. Ne e kemi konsideruar një dokument pa vlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, qeveria i ka mjetet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. S’ka si e lufton korrupsionin një komision i dominuar po nga kjo qeveri, me kryetar po këta të shumicës. Është një lloj teatri për t’i hedh hi sy popullit”, tha Shehi.

Një thirrje e ka edhe për pjesën tjetër të opozitës, të cilët bojkotuan votimin në Kuvend, duke u thënë se duhet të vijojnë me të njëjtin qëndrim. Kreu u LSHK i kërkon pjesës tjetër të opozitës që të mos fillojnë marrëveshjet për të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm, por të vijojnë me bojkotin.

“Rruga për të luftuar korrupsionin janë të tjera. Ne kemi dyshimin permanent, edhe pjesë të tjera të opozitës, se kjo po bëhet për t’i bërë presion SPAK dhe GJKKO. Për të ndërtuar një institucion që i jep vetes të drejtën të ndërhyrje dhe të krijojë presion mbi këtë lloj institucionesh. Do jetë dëm i madh. I ftoj kolegët e tjerë opozitarë t’i qëndrojnë këtij pozicioni. Nëse do fillojnë tratativa, marrëveshje si do jetë komisioni do ta fusin veten në një situatë qesharake.

Njerëz që nuk diskutojnë në Kuvend, nesër shkojnë  e negociojnë për t’u bërë pjesë e Komisioneve kur ne s’e kemi pranuar. Dy rrugë janë, o pranoje Komisionin që në princip, o nuk jemi për këtë komision dhe mos u bëj pjesë. Çfarëdo lloj veprimi nga grupe opozitare për të bërë pjesë e këtij triku politik parazgjedhor për ti bërë presion SPAK do lejë përshtypje të keqe para shqiptarëve. Ata e bënë, e gëzofshin komisionin e vet, ne nuk duhet të bëhemi pjesë e këtij teatri”, u shpreh Shehi.

Në optikën e Shehit ky ngritja e këtij komisioni ka dy qëllime kryesore, presionin ndaj drejtësisë së re dhe ‘qokat’ brenda Partisë Socialiste për të shpërblyer me pozicione anëtarët e saj.  

“Të shkosh në Kuvend, të mos marrësh pjesë të bësh sherr dhe të futesh në Komisione nga mbrapa, nuk duket shenjë serioze. I ftoj të mos përzihen në atë lloj komisioni që ka si qëllim kryesor t’i bëjë presion reformës në Drejtësi. Qëllimin e dytë ka me arnu sherret brenda PS, me nda nga një peshqesh të vogël shefave socialistë”, vijoi Shehi.

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion u ngrit një ditë më parë vetëm me 74 votat e mazhorances, ndërkohë që opozita bojkotoi procesin e votimit. Nga rreshti dolën vetëm 6 deputetë opozitarë të cilët ngritën kartonin e kuq, Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi./Shqiptarja