Muzeu Etnografik në Elbasan, i vetmi që ruan trashëgiminë shekullore të qytetit do të restaurohet, duke bërë të mundur rikthimin në identitet të kësaj shtëpie të vjetër.
Ndërtesa e familjes Sejdini, shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963 dhe e kthyer në muze në vitin 1986, është përzgjedhur për këtë ndërhyrje restauruese për të adresuar problematikat emergjente që kërcënonin strukturën dhe autenticitetin e saj, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e saj.
Ky muze dallohet për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.
Projekti, i cili u hartua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë dhe u financua nga bashkia Elbasan, synon të ruajë dhe të promovojë këtë monument të rëndësishëm kulturor.
“Ky hap i rëndësishëm do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe do të ofrojë mundësi të reja për vizitorët dhe studiuesit që të eksplorojnë dhe të vlerësojnë këtë pjesë të pasurisë historike të rajonit”, pohoi kreu i bashkisë Gledian Llatja.
Gjatë prezantimit të projektit autoritetet lokale theksuan rëndësinë e tij për komunitetin dhe për trashëgiminë kulturore të Elbasanit.
Përfaqësues të bashkisë Elbasan dhe DRTK Korçë shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen për projekte të tilla që ruajnë dhe pasurojnë trashëgiminë kulturore të zonës.
Restaurimi i Muzeut Etnografik shënon një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit.
Ndërhyrjet të tilla jo vetëm që sigurojnë mbrojtjen e monumenteve historike, por edhe kontribuojnë në zhvillimin e turizmit kulturor dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e trashëgimisë së qytetit.
Shtëpia ku ndodhet muzeu është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.
Muzeu përmban dy kate, ku kati i parë dikur ka shërbyer si magazinë për rezervat ushqimore dhe kati i dytë për banim. Pas shpalljes së tij si muze në vitin 1986, kati i parë u përdor për ekspozimin e historikut të qytetit dhe zejeve të trevave të Elbasanit, ndërsa kati i dytë u konceptua në mënyrë të tillë për të reflektuar mënyrën e jetesës, traditat, veshjet dhe pasurinë etnografike dhe kulturore të qytetit dhe trevave përreth, duke treguar nivelin e zhvillimit ekonomik të qytetit në atë kohë dhe duke shërbyer si dëshmi e gjallë e historisë së qytetit./ata