Sot Partia Demokratike zhvillon Kuvendin Programor për prezantimin e programit për zgjedhjet e ardhshme politike, me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri tha se PD është forca e parë politike që ka gati një program për familjet shqiptare dhe një plan konkret për daljen nga kriza.
Sipas saj, Shqipëria po shkon përditë dhe më shumë në drejtimin e gabuar.
Ajo tha se, në qeverisjen e Partisë Demokratike, 5 milionë euro do të jetë granti për ngritjen e 1000 bizneseve të reja vetëm për gratë sipërmarrëse.
“Personat me aftësi të kufizuar do të jenë pjesë reale e vendimarrjeve tona qeverisëse si dhe do t’ju subvencionohen shërbimet sipas nevojave të tyre. Pagesa për personat me aftësi të kufizuar do të jetë 70% e pagës minimale. Do të ndryshojmë statusin e jetimit, duke zgjeruar numrin e përfituesve, përfshirë edhe ata që nuk kanë njërin prind”, deklaroi Pampuri.
Sipas saj, emigracioni, pasiguria për të krijuar familje të reja, ulja e lindshmërisë dhe kostot e larta të strehimit i pamundësojnë familjet e reja të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre.
“PD, në qeverisjen e saj do të subvencionojë interesin e plotë të kredisë për strehim për 30 mijë çifte të reja. Do të mundësojë pagë të plotë për periudhën e lejes së lindjes për nënat në marrëdhënie pune”, u shpreh ajo.
Gjithashtu vijoi Pampuri, “ne angazhohemi për një rritje të mbështetjes për familjet në nevojë, duke dyfishuar Ndihmën Ekonomike. Do të mundësojmë orientimin e vajzave dhe grave për të ndjekur studime apo kryer kurse profesionale në fushat e lidhura me teknologjinë e informacionit, nëpërmjet programit “Gratë në dixhitalizim””.
“Do të rritim pagat, do të mundësojmë taksim të diferencuar dhe mbështetje të arsimit profesional për të përmirësuar ekuilibrin gjinor në profesionet, të cilat janë mbizotëruar tradicionalisht nga burrat. Do te nxisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në arsimin e mesëm të përgjithshëm apo profesional dhe do të ofrojmë mbështetje financiare për gra dhe vajza që kontribuojnë në industrinë e artizanatit”, deklaroi Pampuri./ata