Stafi i bashkisë së Beratit ka trajnuar një grup të rinjsh për t’u bërë guidë turistike, në një qytet ku fluksi i turistëve sa vjen e shtohet.

Kryebashkiaku Demo ndau certifikatat e vlerësimit për rrëfyesit e rinj të historisë 2500-vjeçare të Beratit, gjithashtu pasuri ndërkombëtare e UNESCO-s.

“Fluksi i madh i turistëve vendas dhe të huaj e ka shndërruar turizmin në industri më vete dhe në një shtyllë kryesore që vë në lëvizje ekonominë e Beratit. Zinxhiri i një industrie të tillë ka rritur ndjeshëm kërkesën për guida turistike”, u shpreh kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo, në rrjetet sociale.

Sipas tij, ambicia e radhës është licencimi e përfshirja gjithnjë e më shumë të rinjve në strukturat akomoduese dhe shërbime të fushës së turizmit; si pjesë e fuqizimit dhe nxitjes potenciale të mundësive për punësim.

“Këta të rinj rrisin standardin në bizneset familjare e gjithashtu themelojnë startup-e, plane inovative biznesi në fushën e turizmit, IT, ekonomi, trashëgimi kulturore, arkeologji dhe histori”, shkruan Demo, duke shprehur krenarinë për energjinë, përkushtimin dhe arritjet e rinisë së Beratit./ata