Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha sot se arsimi është gurthemeli i kësaj force politike.

Në çelje të mbledhjes së kryesisë së Lirisë, Meta, duke i uruar suksese maturantëve që i kryen sot testin e parë të maturës, tha se Partia e Lirisë ka parashikuar në programin e saj rritjen e buxhetit për arsimin mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.

“investimi në arsim dhe kapitalin njerëzor është një ndër prioritetet madhore të Partisë së Lirisë në programin e saj të 5 prioriteteve. Dyfishimi i buxhetit për arsimin dhe shumëfishimi i buxhetit për kërkimin shkencor dhe inovacionin, është një angazhim i pakthyeshëm yni”, tha Meta.

“Arsimi dhe investimi në kapitalin njerëzor, janë gur themeli i prioriteteve tona. Për këtë arsye niveli i buxhetimit për arsimin e inovacionin do të jetë mbi mesataren e vendeve të BE dhe të rajonit. Buxheti do të jetë 5% i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mësimdhënia po ashtu do të konsiderohet si degë prioritare dhe do të shoqërohet me mbështetje të jashtëzakonshme financiare. Inovacioni do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Kemi një gap të jashtëzakonshëm të akumuluar nga një nënfinancim. Degët e Teknologjisë së Informacionit, do të trajtohen me investime prioritare”, tha më tej Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë tha se forcat politike që ai drejton duhet të organizohet dhe fuqizohet për të implementuar 5 prioritetet e saj, teksa shtoi se ka dhe forca të tjera politike që po i kopjojnë ato.

Në mbledhjen e Kryesisë, Partia e Lirisë diskutoi mbi fuqizimin dhe organizimin e saj në të gjithë vendin./ata