Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se procesi i vetëpastrimit në Policisë së Shtetit është i pandalshëm dhe ndikon në rritjen e besimit të publikut.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla duke vlerësuar punën e Agjencise se Mbikqyrjes Policore per goditjen e skemes korruptive ne Aeroportin "Nene Tereza", ku ndaluan 8 punonjës të Aeroportit si pjesë e një skeme korruptive, nënvizoi se AMP duhet të rrisë bashkëpunim me SPAK dhe prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm për të goditur paligjshmërinë brenda radhëve të Policisë.

“Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”, njofton shkruan Balla.

“Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi” vijon Balla.

“E nxis AMP të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta të integritetit dhe pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë”, përfundon Balla.

AMP në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës goditën sot një rast korrupsioni ne Aeroportin "Nene Tereza". Si rezultat u ndaluan 8 punonjës të policisë së aeroportit dhe 1 shtetas tjetër, të cilët ishin pjesë e skemës korruptive për lejimin e kalimit të personave nga Aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas, drejt vendeve të Bashkimit Evropian./ata