Të paktën 5 palestinezë humbën jetën në sulmin ajror që Izraeli kreu ndaj kampit të refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një ndërtesë të bashkisë Nuseirat që ndodhet në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Në sulm humbën jetën të paktën 5 persona, përfshirë kryetarin e bashkisë Nuseirat, Iyad Al-Maghari.

Trupat e pajetë që u nxorën nga rrënojat u dërguan në spitalin "Dëshmorët e Aksa"-së në qytetin Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

- Mesazh ngushëllimi nga Ministria e Administrimit Lokal të Rripit të Gazës

Në një deklaratë nga ministria thuhet: "Ministria e Administrimit Lokal me pikëllim të thellë dhe ndjenjën e ngushëllimit, i urojmë mëshirën e Zotit kryetarit të bashkisë Nuseirat, Iyad Al-Maghari i cili humbi jetën si pasojë e bombardimit pushtues si dhe urojmë durim për familjen e tij".

Në sulmin që ushtria izraelite kreu dje ndaj shkollës së UNRWA-së ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, humbën jetën 40 persona, përfshirë 14 fëmijë dhe 9 gra.

Në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani kanë humbur jetën 36.654 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra ndërsa janë plagosur 83.309 persona të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./aa