Nën drejtimin e kryetares Jorida Tabaku, Komisioni për Çështjet Europiane, shqyrtoi pr/ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar””, nismë e deputetëve Erjon Braçe dhe Etilda Gjonaj.
Në prezantim të ndryshimeve të paketës ligjore për këtë projektligj, Gjonaj u shpreh se, kjo paketë është në suazën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe konkretisht mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ndryshimet e propozuara synojnë të ashpërsojnë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit, të cilët u shesin ose ofrojnë duhan të rinjve nën 18-vjeç. Këto masa shtrënguese propozohen për shkak se përdorimi i duhanit, cigareve elektronike apo produkteve të tjera të duhanit nga fëmijët e të rinjtë është në rritje vitet e fundit.
Braçe, në fjalën e tij theksoi se, ky komision si edhe komisionet e tjera në të cilat do të shqyrtohet ky projektligj, duhet të miratojnë ndryshimet e propozuara, pasi vlerësoi se janë tepër të nevojshme, dhe se më tej të gjitha agjencitë ligjzbatuese të shtetit duhet të merren drejtpërdrejt me rastet.
Të dy deputetët nismëtarë, propozuan që për personat nën 18 vjeç të jetë e ndaluar shitja jo vetëm e duhanit, por edhe e cigareve elektronike, shishave, nargjileve dhe produkteve të tjera të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.
Po ashtu, propozohet të ndalohet ofrimi falas apo shitja me ofertë e këtyre produkteve, si dhe në të gjitha pikat e shitjes duhet të vendoset në një vend të dukshëm tabela ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve te duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën 18 vjeç”.
Pas diskutimeve, anëtarët e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi, së bashku me ndryshimet e dakordësuara gjatë diskutimit.
Komisioni vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””, nismë e deputetit Agron Duka.
Në fjalën e tij Duka tha se, projektligji ka për qëllim të përmirësojë kuadrin ligjor të aplikimit të tatimit së vlerës së shtuar për implikimet që ka në sektorin e bujqësisë, dhe një rregullim të ri në lidhje me mënyrën e llogaritjes së TVSH-së dhe zbritjes së TVSH-së, në rastet e autofaturimit në transaksionet e fermerëve mes personave të tatueshëm. Rregullimi do të formalizojë qarkullimin e brendshëm te produkteve bujqësore, do të vinte operatoret e këtij sektori në kushtet e një taksimi të ligjshëm dhe të ndershëm, do të rrisë interesin për produktin e fermerëve vendas, dhe në fund do të rrisë dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.
“Ky projektligj nuk ka asnjë pengesë proceduriale apo kosto, dhe do ju kërkoja kolegëve ta votonin”, tha Duka.
Pas diskutimeve, kryetarja Tabaku u shpreh se, do ishte mirë që kjo nismë të diskutohej më gjatë së bashku edhe me komisionet e tjera, komisionin përgjegjës dhe për dhënie mendimi.
U vendos më dakordësi të anëtarëve të komisionit, se diskutimi dhe shqyrtimi do të zhvillohet në një mbledhje të përbashkët të radhës.
Më tej, komisioni vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërqeveritare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, për kontributin në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri”.
E ftuar ishte zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Megi Fino dhe stafi shoqërues.
Në fjalën e saj Fino, tha se marrëveshja ka si qëllim parësor krijimin e një kuadri bashkëpunimi për zbatimin e projekteve strategjike prioritare në Republikën e Shqipërisë nga Republika Franceze.
Kjo marrëveshje synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve, si dhe për të forcuar lidhjet e miqësisë mes tyre.
Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë”.
I ftuar ishte zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta, i cili theksoi se, marrëveshja ka si qëllim zhvillimin e mëtejshëm të një zone evropiane të drejtësisë, bazuar në shtetin e së drejtës, pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit, njohjen reciproke, besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin gjyqësor, duke forcuar kështu demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore të njeriut. Programi ka objektivin e përgjithshëm të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të një zone evropiane të drejtësisë, bazuar në sundimin e ligjit, duke përfshirë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit në njohjen reciproke dhe besimin reciprok dhe në bashkëpunimin gjyqësor, duke forcuar kështu demokracinë, sundimin i ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Në fund të diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi./ata