Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me ministrin e Shkencës dhe Arsimit të Republikës së Azerbajxhanit, Emin Amrullayev.

Gjatë takimit Manastirliu dhe Amrullayev shkëmbyen eksperiencat dhe folën për të vendosur urat e bashkëpunimit në fushën e arsimit mes dy vendeve tona.

Në një postim në rrjetet sociale, Manastirliu tha se “ky takim i hap rrugë bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”.

“Ky bashkëpunim synon krijimin e partneriteteve mes universiteteve tona, me fokus nxitjen dhe promovimin e programeve të shkëmbimit të studentëve dhe stafeve akademike, mbështetjen përmes nismave të përbashkëta për zhvillimin e kërkimit shkencor në fushat me interes të përbashkët”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu mori pjesë dje në Baku në takimin e Komitetit të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit./ata