Ish- kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për mediat këtë mëngjes të së enjtes, ka deklaruar se arrestimi i familjarëve të ish-deputetit të PS Rrahman Rrajas u falë shërbimit të partnerëve strategjikë. Ai tha se “banda Rraja, janë përdorur si vrasës me pagesë” dhe se ka vite që vepron në zonën e Krujës, dhe se e gjithë kjo ka qenë në dijeni dhe mbështetje të Edi Ramës.
Po ashtu Berisha tha se emërimi i Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme, u bë nga Rama për t’i dhënë atij “dopio imunitetet”, pasi sipas Berishës ai është i lidhur me disa banda të vendit. Ndër të tjera, Berisha tha se Europol ka sjell të dhëna në Prokurori për Ballën.
“Ngjarja kriminale në Borizanë është dëshmia më autentike e karakterit mafioz të shtetit të Ramës. Ajo bandë, Rraja, në vite dhe vite ka përbërë mafien më të rrezikshme të Shqipërisë së mesme, e lidhur me Ramën, Ballën dhe pushtetar të tjerë. Banda Rraja ka qëndruar mbi ligjin, e mbështetur nga Rama dhe Balla. Janë përdor si vrarës me pagesë, si torturues dhe arrestimi i fundit i nipit të Rrajas, ne ia detyrojmë shërbimeve mike sepse ato kanë sjellë të gjithë regjistrimin mbi të cilat u realizua arrestimi.
Edhe vetë Rraja foli, e Rama jo. Emëroi mikun e Rrajas në ministrinë e Brendshme, emërim të cilin bandat e festuan me fishekzjarrë. Emërimi i Ballës është emërimi i krimit në krye të asaj ministrie, pasi ky i fundit me dokumente zyrtare rezulton i lidhur me bandat e Elbasanit, Librazhdit, Cërrikut dhe Lushnjes. Balla është në hetim, është thirr mbi tre herë në SKAPIN e partisë për lidhjet e tij më Xhaferrin, ndikimin e tij në tendera për kompaninë e tij që e ka në emër të të shoqes.
Burime serioze thonë se Europol ka sjell të dhëna në Prokurori fiks për Ballën. Thirrja në SPAK është 100% e vërtetë, paçka se kur dilte thoshte se isha për Saliun, por ata e kishin thirr për lidhjet e tij për krimin. Kurse kjo e dorëzimit të dokumenteve nga Europol, të cilët e kanë evidentuar sipas këtij burimi, kjo natyrisht mbetet në diskrecionin e SPAK, por mesa shoh unë gjersa Rama e emëroi për t’i dhënë një dopio imunitet,, imagjino ju që ai mbi prokurorët mund të ushtrojë tani presion”, tha Berisha.