Ministria e Brendshme ka hapur garën për drejtuesin e ri të Gardës së Republikës.
Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën për aplikim, si dhe dokumentacionin shoqërues për kriteret e përgjithshme e të posaçme, brenda datës 26 qershor 2024.
Sipas MB-së, brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të posaçme.
Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e kërkuara dhe të aplikantëve që nuk i plotësojnë këto kushte bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga aplikanti dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.
Më pas, Komisioni do të organizojë seancë dëgjimore me kandidatët.
Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim, për secilin kandidat.
Gara zhvillohet pas vakancës së krijuar nga dorëheqja e komandantit të përgjithshëm të Gardës, Gramos Sako në shkurt të këtij viti./ata