Marrëdhëniet midis Moskës dhe Ankarasë po përparojnë “jashtëzakonisht mirë”, ka thënë ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

“Ka hapa që duhen ndërmarrë në tregti”, ka thënë Fidan, sipas burimeve diplomatike turke.

Fidan u prit nga Putin në Pallatin e Kremlinit në Rusi, ku mori pjesë në takimin e BRICS+ dhe zhvilloi bisedime dypalëshe.

Türkiye është “e vendosur të vazhdojë të gjitha përpjekjet e mundshme ndërmjetësuese” për Ukrainën, ka deklaruar Fidan.

“Për sa i përket Sirisë, ne po bëjmë çmos për të vazhduar politikën e stabilitetit që ju, si dy liderë (Putin dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan), keni parashtruar”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se ka pasur mundësinë për t’i diskutuar këto çështje gjatë bisedimeve në Moskë./aa