Klubi italian i futbollit Juventus njoftoi se ka angazhuar ish-mesfushorin e Paris Saint-Germainit (PSG) dhe Italisë Thiago Motta si trajner të ri të skuadrës.

"Klubi i Futbollit Juventus është i kënaqur të shpallë Thiago Mottan si trajnerin e ri të Ekipit të Parë. Italiano-braziliani ka nënshkruar një marrëveshje me klubin deri më 30 qershor 2027", thuhet në një deklaratë të klubit.

Trajneri Motta, 41 vjeç, kaloi një sezon historik 2023-24 me Bolonjën teksa udhëhoqi një klub italian të nivelit të mesëm për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve të UEFA-s për herë të parë në historinë e tij.

"Jam vërtet i lumtur që filloj një kapitull të ri në krye të një klubi të madh si Juventusi. Falënderoj pronarët dhe menaxhmentin, të cilët mund të jenë të sigurt për ambicien time për të mbajtur lart flamurin e Juventusit dhe për të kënaqur tifozët", ka thënë Motta.

Juventusi shkarkoi trajnerin Massimiliano Allegri pas finales së Kupës së Italisë 2024 në maj. Bardhezinjtë thanë se sjellja e Allegrit gjatë finales së Kupës së Italisë kundër Atalantës, ndaj së cilës Juventus fitoi 1-0, ishte arsyeja kryesore e shkarkimit të 56-vjeçarit.

Motta ka lindur në Brazil, por gjithashtu ka nënshtetësi italiane.

Ai ka luajtur si mesfushor mbrojtës te Barcelona, ​​Atletico Madrid, Genoa, Inter Milan dhe Paris Saint-Germain.

Si lojtar, Motta ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë, një herë me Barcelonën në vitin 2006 dhe tjetrën me Interin në vitin 2010./aa