Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ngriti sot sërish shqetësimin e përdorimit të parasë së përfituar nga aktivitete kriminale në ekonomi, ndërsa akuzoi SPAK-un për mosveprim për hetimin e situatës.

Meta gjatë një deklarate për mediet bëri të ditur se shndërrimi i Tiranës në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave, po ndodh para syve të të gjithëve, ndërsa ka tërhequr vëmendjen e medieve kryesore botërore, si RAI 3, BILD dhe së fundmi edhe të prestigjiozes britanike “The Times”.

“Kemi ndërtime pa kriter dhe të shfrenuara të kullave dhe pallateve, nga qendra në periferi, mbi 52 mijë apartamente të shitura por të pabanuara nga askush, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të çmenden dhe qiratë janë të papërballueshme, njëkohësisht edhe rrëzimi përtokë i kursit të këmbit të euros, të gjitha këto janë prova shumë të qarta, të këtij aktiviteti kriminal të përmasave të jashtëzakonshme”, deklaroi Meta.

Sipas tij, në kryeqytetin e vendit më të varfër të Europës, të pensioneve më të ulëta të Ballkanit, të rrogave më të ulëta të Ballkanit, kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme, dhe një familjeje të re i duhet mbi 70 vite për të blerë një apartament.

“Kur shqiptarët nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi në Tiranë, atëhere si shpjegohet ky bum ndërtimesh dhe këto çmime stratosferike?” – shtroi pyetjen Meta.

Ai theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj situate kriminale është që ligji duhet të veprojë me ashpërsi dhe në kohë, për të ndëshkuar këtë proces shkatërrimtar të ekonomisë, të biznesit të ndershëm që mbyllet, dhe po falimenton për shkak të pastrimit të parave në Tiranë.

“Kur të gjithë flasin për këtë fenomen shkatërrimtar për ekonominë e vendit, SPAK. e vetmja strukturë e ngritur posaçërisht për të luftuar krimin e organizuar dhe pastrimin masiv të parave, hesht. Kullat në mes të Tiranës, që pastrojnë para ditë dhe natë, i shohin gazetarët deri nga Londra, ndërsa SPAK. vetëm qindra metra larg nuk i sheh dhe nuk lëviz gishtin. SPAK është sot struktura më “perfekte” për të mos luftuar pastrimin e parave, dhe mosndëshkuar kriminalizimin e shtetit dhe të ekonomisë nga paratë e narkotrafikut”, deklaroi presidenti i PL-së.

Sipas tij, nga SPAK-u nuk ka asnjë hetim proaktiv, megjithëse opozita dhe mediat kanë bërë publike fakte të rënda, por asnjë pastrues parash nuk është ndaluar e jo më të jetë dënuar.

“E kundërta ka ndodhur me mosveprime të qëllimshme dhe bllokime hetimesh, duke i krijuar pastrimit të parave një ambient perfekt për të vepruar të pandëshkuar dhe të paprekur. Veprimet propagandistike dhe me regji të SPAK-ut, që merret me arka sardelesh apo shpikje ngjarjesh mediatike, si dhe goditja e opozitës me regjinë e “Rilindjes”, dhe në funksion të axhendave politike elektorale të Edi Ramës, e kanë shndërruar SPAK-un në drejtimin e Dumanit, në një parti politike të jashtëligjshme prokurorësh, aleatë dhe ortakë të Edi Ramës”, tha ai.

Ai theksoi se pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milionë shqiptarë plus, jo vetëm i japin fund dramës së shpopullimit, por edhe shpërblejnë punën, njerëzit e punës dhe meritokracinë, mbështetin prodhimin vendas, garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe e shndërrojnë Shqipërinë, nga një gropë importi, në një fuqi eksportuese në rajonin tonë./ata