Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se “procesi i integrimit kërkon reforma që aktualisht mungojnë”, ndaj sipas tij, zgjedhjet e ardhshme janë mundësi për ndryshim.

Në një intervistë televizive, Basha, foli për zhvillimet e fundit në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës pas zgjedhjeve ku grupi i PPE në të cilën bën pjesë dhe PD, është rikonfirmuar si forcë e parë politike.

Ai tha se Bashkimi Europian do të rindezë motorët e zgjerimit dhe pastaj është puna e vendeve kandidate që të përshpejtojmë procesin e anëtarësimit. Kjo, sipas tij, kërkon reforma të cilat në Shqipëri aktualisht mungojnë.

Basha solli në vëmendje dhe raportin e DASH që, sipas tij, e rendit Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara dhe pas 12 vitesh qeverisje.

“Pas 12 vitesh qeverisje, eksporti kryesor i kësaj qeverie janë shqiptarët, largimi masiv i të cilëve mbetet problem i mprehtë edhe për vendet anëtare të Bashkimit Europian, diskutohet edhe këtu në Këshillin e Europës. Sigurisht problemi më i madh është për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse po zbrazet Shqipëria, po zbrazen familjet shqiptare. Dhe kjo është një gjë që kërkon një përballje të ngutshme politike në rastin më të parë të mundshëm që janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Basha.

Sipas Bashës demokratët euroatlatikë janë i vetmi formacion politik që ka shpalosur një program të plotë, fryt i punës të mbi 100 ekspertëve vendas e të huaj”./ata