Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të drejtuar nga nënkryetari Eduard Ndreca, u miratuan gjashtë projektligje.
Komisioni fillimisht shqyrtoi dhe miratoi në parim dhe në detaje ligjet për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, për mbrojtjen e mjedisit, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve, të cilat ishin prezantuar dhe diskutuar më parë.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërqeveritare midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Francës, për kontributin në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri. Për të prezantuar projektligjin dhe për të përgjigjur pyetjet e deputetëve ishin ftuar Megi Fino, zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme, zonja Vilma Bello, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe stafi teknik i këtyre ministrive.
Fino prezantoi projektligjin dhe theksoi rëndësinë e marrëveshjes për të lehtësuar bashkëpunimin strategjik mes Francës dhe Shqipërisë në sfidat ekonomike, demografike, sociale dhe mjedisore, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe përgatitjen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pas diskutimeve dhe pyetjeve, komisioni miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”. Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, prezantoi projektligjin dhe sqaroi qëllimin e tij për të reduktuar ndotjen në zonat bregdetare jugperëndimore të Shqipërisë, duke përfshirë mbrojtjen e burimeve ujore dhe infrastrukturën sanitare.
Deputeti Denis Deliu, në cilësinë e relatorit, bëri një përmbledhje të risive dhe përputhshmërisë së projektligjit me legjislacionin për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi projektligjin në tërësi.
Ky ishte raporti nga mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë./ata