Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi u shpreh për mediet pas përfundimit të mbledhjes së grupit se afati për Reformën Zgjedhore që përfundon më 1 korrik është i lëvizshëm.

“Në çdo mbledhje të grupit ka pasur diskutime për Reformën Zgjedhore. Ne kemi bërë gjithçka që çështjet të shkojnë përpara. Ka një vullnet të PS, që nuk dëshiron të çojë përpara reformën, sepse të bësh reformë zgjedhore do të thotë të mos intimidosh punonjësit e administratës publike”, theksoi Bardhi.

“Unë nuk besoj se afati do të jetë 1 korrik, ai është një afat i lëvizshëm dhe unë uroj që deputetët e PS të tërhiqen nga bllokimi sepse prioritet i prioriteve të Kuvendit është çuarja përpara e Reformës Zgjedhore” tha Bardhi.

Në lidhje me mandatin e Berishës i cili ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit, Bardhi tha se ai nuk e rrezikon mandatin në bazë të Kushtetueses.

“Nuk kemi pasur asnjë diskutim sa i takon Sali Berishës. E kemi thënë më parë që nuk ka asnjë rrezik ligjor që Berisha të humbë mandatin e deputetit. Kushtetuesja thotë që kjo mund të ndodhë vetëm me vullnetin e deputetit. Berisha edhe pse është në izolim ka qenë një deputet me aktiv se treçereku i deputetëve në parlament”, u shpreh Bardhi.

“Nëse i ikim Kushtetutës dhe merren vendime të njëanshme politike nga kundërshtari i Berishës, këtu pastaj i bie të bjerë çdo mekanizëm i stabilitetit. Çdo cenim me natyrë politike, do të ketë përgjigjen e merituar nga PD, opozita dhe populli opozitar”, tha Bardhi.

Sipas tij, grupi ka diskutuar edhe për interpelancë me Kryeministrin dhe në lidhje me veprime të mundshme për zhbllokimin e fondeve IPARD për Bujqësinë./ata