Kryeministri Edi Rama propozoi sot ngritjen e një Bordi Kombëtar, që do të ketë si qëllim vendosjen në dispozicion të çdo informacioni për qytetarët, përveç atyre që konsiderohen sekret hetimor.
Në fjalën e tij në Konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit Rama u shpreh se “është koha që ne të krijojmë një Bord Kombëtar me pjesëmarrjen patjetër të qeverisë, nuk diskutohet pushteti vendor, sepse në çfarë kam lexuar për të ardhur këtu kam vënë re se niveli i transparencës dhe të drejtës së dhënies së informacionit në institucionet qendrore ka pasur një përmirësim të ndjeshëm në 2023 në raport me 2022, por në nivelin vendor është ende problematik”.
Rama tha se Bordi do të krijohet edhe me Komisionerin, me Avokatin e Popullit dhe me të tjera institucione dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, që mund të luajë një rol në këtë pikë, si dhe institucione të tjera për të pasur një plan të përbashkët pune. “Jo për gjë tjetër, për të monitoruar bashkërisht të gjithë këtë proces transparence dhe sigurimit të të drejtës së informimit sepse në fund të ditës është shumë e qartë që në pjesën më të madhe problemi nuk është se nuk ka një vullnet për të dhënë informacion, por se nuk ka një vetëdije për dhënien e informacionit në kohë reale”, tha Rama.
“Kjo siç tha Komisioneri gërryen besimin e qytetarëve, hap shtretër të tërë lumenj, të dezinformimit, apo të keqinformimit dhe kjo shkel një të drejtë që është e sanksionuar me ligj e publikut dhe çdo individi dhe që s’ka asnjë arsye në botë për ta shkelur, sepse nuk bëhet fjalë për krijuar një produkt, por për ta ekspozuar produktin që krijohet”, nënvizoi Rama.
Rama vuri në dukje se “çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje kontraktuale që nuk hyn në hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit duhet të jetë publike”.
“Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të këtij viti të kemi një përmbysje të të gjithë përmbajtjes jo të kënaqshme të të dhënave për aksesin e publikut në informim dhe për garantimin e të drejtës së informimit”, tha Rama./ata