Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja reagoi sot lidhur me ngjarjen në Spitalin Onkologjik, duke deklaruar se qëndrimi i qeverisë shqiptare është i qartë: neveri dhe ndëshkim për këdo që njollos sistemin shëndetësor në vend.

Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Manja tha se ka nisur hetimi penal dhe se ata do të ndëshkohen sipas ligjit.

“Disa banditë që veshin bluzën e bardhë nuk mund të njollosin bluzat e bardha të shëndetësisë shqiptare që çdo ditë u shërbejnë qytetarëve nga veriu në jug, kudo ku kërkohet ndihmë”, deklaroi ai.

Manja theksoi se ka pasur një hetim në nivelin administrativ për Spitalin Onkologjik që nga janari i vitit 2023, ku edhe është ndëshkuar një punonjëse.

“Në periudhën janar –korrik ka pasur plan të qartë masash për hetim administrativ në QSUT me fokus të veçantë Spitalin Onkologjik. Hetimi vazhdon”, tha ai.

Ministri paralajmëroi edhe ndryshime administrative sa i takon penalizimeve për punonjës për të cilët provohet shkelja administrative por jo penale, pasi sipas tij bëhet fjalë për një sektor ku luhet jeta e njerëzve./ata