Në Kuvend u mblodh sot Komisioni Hetimor Parlamentar për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS.
Në rend të ditës është marrja në pyetje e 4 dëshmitarëve, Neritan Nallbati drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e Shtetit, Zef Laska, drejtor i Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e Shtetit, Enri Ndoni, drejtor i Sistemeve të Policisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e Shtetit dhe Saimir Boshnjaku, drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Gjithashtu sot ishte parashikuar të dëshmonte drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni e cila paraqiti një shkresë në Komisionin e TIMS se nuk mund të jetë e pranishme këtë të mërkurë.
Mosparaqitja e Hysenit në komision nxiti debat mes kryetarit të komisionit, Ervin Salianji dhe anëtarit socialist, Xhemal Qefalia.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Ervin Salianji tha se “nuk është me qejf, është me detyrim të vijë, është e disata herë që thuhet kam një punë, duhet të jemi serioz. Është e pajustifikueshme të thuhet “nuk vij se kam një punë”. Shërbimi informativ është për interesa private? Nuk e bën dot ajo këtu atë që bën te komisioni i Sigurisë, që nuk vjen fare”.
Qefalia u shpreh se “nuk keni pse të merreni me aludime. Hyseni është drejtuese institucionit, në vijim do të caktojmë edhe kohën e nevojshme për të vijuar me pyetjen e drejtueses së Shërbimit Informativ”.
Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani deklaroi se ndërhyrja në sistemin TIMS është bërë me urdhër të politikës.
“Këtu nuk ka asnjë sekret hetimor. Është provuar se në sistem është ndërhyrë dhe janë eksportuar të dhënat me USB dhe ndodhen në Prokurorinë e Tiranës. Janë eksportuar miliona lëvizje të qytetarëve shqiptarë. T’i bëjmë mbledhjet e hapura, nuk ka asnjë lloj sekreti hetimor, ta marrë vesh opinioni publik se çfarë është bërë në sistemin TIMS”, tha Dogjani.
Kreu i komisionit, Salianji u shpreh se “të gjitha të dhënat e sistemit TIMS janë në një kanal X. Jo të gjitha sistemet e policisë së shtetit u rikthyen, pavarësisht se kishin mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, fakt i cili vërteton që këto sisteme nuk janë monitoruar dhe kryer back up asnjëherë as sipas standardeve kombëtare dhe as ndërkombëtare pasi ekipi i drejtorisë ishte e paaftë minimumi të kryente këtë proces”.
“Ka bërë veprime okulte që me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë fshehur sulme kibernetike dhe rrjedhjen e të dhënave, kanë favorizuar persona të paautorizuar duke i manipuluar ato procese. I them dëshmitarit: zotëri, ka gjasa që ky sistem të manipulohet dhe të përdoret nga grupet e krimit të organizuar? Po, ka gjasa që të përdoret dhe mund të jetë përdorur nga persona të krimit të organizuar”, theksoi Salianji.
Pas diskutimit, Komisioni vendosi që dëshmitë të vazhdojnë me dyer të mbyllura./ata