Drejtuesi i komanduar i Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano, është në lupën e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo për shkak të dosjes hetimore, e cila është transferuar nga Prokuroria e Vlorës në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Hetimi i nisur nga prokuroria e Vlorës ka nisur mbi disa kallzime te banorëve te zonës, për tjetërsim pronash, ku kjo e fundit shpalli moskompetencën duke ia kaluar prokurorisë së posaçme. Dosja hetimore e cila pritet të verifikohet nga SPAK lidhet me një çështje tjetërsimi prone, për 14 mijë m2 tokë me vendndodhje në Himarë, që dyshohet se janë përfituar nga Bollano dhe toka u dha në vitin 2015 kur bashkia drejtohej nga Jorgo Goro.

Arqile Bollano mori detyrën e kryetarit të komanduar të Bashkisë së Himarës në 7 qershor, duke zëvendësuar Blerina Balën, edhe kjo kryetare e komanduar. Bala u vendos në pozicionin e kryebashkiakes të komanduar, pas arrestimit të Jorgo Goros, ish-kryebashkiakut të Himarës, që mbajti zyrën e kryetarit të Bashkisë, pasi kryetari i zgjedhur i Bashkisë, Fredi Beleri ndodhet në burg i dënuar për i “korrupsion zgjedhor”./ata