Kultivimi i sherebelës, i mbjellë masivisht vitet e fundit nga fermerët e zonave veriore, rrezikon të zhduket, pasi mungon tregu i huaj për shitje. Brenda 6 muajve, sasia e stokut është rritur 1,5 herë.
Nga 4 mijë ton stok sherebelë që ishin në muajin janar, sipas Kryetarit të Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike Filip Gjoka aktualisht në magazinat e përpunuesve gjenden 10 mijë ton sasi e pashitur.
“Kjo është sasia më e lartë e stokut të pashitur të sherebelës, që po dëmton së tepërmi kompanitë përpunuese dhe eksportuese të bimëve mjekësore. Sasia e lartë e stokut është prezente që prej fillimit të vitit dhe nuk po arrihet të jepet asnjë zgjidhje. Situata është tepër e vështirë ”, tha ai.
Gjoka tha se rritja e stokut është ndikuar nga vijimi i rënies së kërkesës, pas teprisë së furnizimeve dhe ngopjes së tregjeve të huaja me sherebelë, në periudhën e pandemisë së Covid-19. Rënia e kërkesës ka sjellë edhe përgjysmim të çmimit të shitjes. Nga 160 lekë për kg, për eksport sherebela po kërkohet me çmim 80 lekë për kg.
Kryetarit të Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike Filip Gjoka paralajmëron se për shkak të mungesës së tregjeve brenda 3 vitesh rrezikohet zhdukja e kultivimit të saj.
“Kjo situatë dramatike po demoralizon fermerët për të shtuar kultivimet me bimën e sherebelës. Në këto kushte parashikohet që brenda 3 viteve sasia e prodhimit të reduktohet në masë të lartë, apo pothuajse të shkojë drejt zhdukjes. Nga ana tjetër kjo do të sjellë rritje të çmimit të bimës për eksport, nëse do të kërkohet nga tregjet e huaja”.
Ulje e çmimeve është ndikuar edhe nga rënia e fortë e kërkesës për bimë medicinale në tregjet europiane dhe atë të SHBA-ve. Deri në fund të muajit dhjetor 2023 operatorët raportuan se kërkesa në tregjet e huaja ra 50% krahasuar me 2022, e ndikuar tërësisht nga mbingopja e tyre gjatë pandemisë së Covid-19. Ndërsa çmimet për bimët si sherebela, dëllinjë e zezë dhe çajëra të ndryshme shënuan rënie.
Disa operatorë më herët parashikuan se stabilizimi i tregjeve pritet të nisë në muajin shtator, pas 2 viteve krizë të kërkesës në vendet jashtë.
Sektori i përpunuesve dhe bimëve mjekësore vitet e fundit përveç mungesës së fuqisë punëtore, është goditur edhe nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit, dy monedhat kryesore që atë eksportojnë.
Gjoka tha se zhvlerësimi i kursit të këmbimit i ndikuar nga ngurtësimi i parasë informale, vijon t’i shkaktojë humbje të mëdha eksportuesve.
Zgjidhja e vetme mbetet për daljen nga kriza sipas tij mbetet rritja e kapaciteteve përpunuese për eksport të produkteve të gatshme. Mungesa e investimeve gjithashtu vijon të mbajë në nivele të ulëta përpunimin e bimëve mjekësore.
Nga operatorët me potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese vetëm 25% e tyre arrijnë të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 75% e tyre u shitën si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase./Monitor