Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë miratoi të hënën në unanimitet marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë për bashkëpunimin policor.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i pranishëm në diskutimin e marrëveshjes në komision tha se fokus i veçantë i marrëveshjes së nënshkruar në nëntor, do të jetë krimi i organizuar dhe ai ndërkufitar.
“Marrëveshja me Republikën e Moldavisë, synon rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit, shoqëruar dhe me një forcim të bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta policore duke patur si synim, së pari veprat penale që lidhen me krimin ndërkufitar, veprat penale kundër jetës, shëndetit, integritetit fizik, veprat penale në lidhje me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Dhe në këtë kontekst, do të shtoja dhe nevojën që ka forcimi i bashkëpunimit në një betejë të re që kanë agjencitë ligjzbatuese që lidhen me drogërat sintetike”, tha Balla.
Ai shtoi se “në këtë këndvështrim, bashkëpunimi me Moldavinë merr një rëndësi të veçantë sa i takon parandalimit të trafikimit të këtyre lloj drogërave drejt vendit tonë. Gjithashtu është lufta kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në mënyrë të veçantë. Padyshim, pastrimi i parave, vjedhja, si dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve luftarake, substancave radioaktive dhe pa harruar këtu dhe lëndë bërthamore apo substanca të tjera të rrezikshme”, nënvizoi Balla.
Balla tha se marrëveshja e firmosur nga ai në nëntor, nuk ka kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Ai informoi ligjëvënësit, se Policia e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Moldavisë do të shkëmbejnë informacione me njëra-tjetrën për të forcuar luftën e përbashkët kundër krimit dhe me një fokus të veçantë me krimin e organizuar.
Balla, i pyetur për çështjen e ekstradimeve, nënvizoi se marrëveshjet e kësaj natyre, nuk lidhen me Ministrinë e Brendshme në mënyrë të drejtpërdrejt.
“Një person në kërkim që i shmanget drejtësisë, është një problem i shtuar sa i përket respektimit dhe sundimit të ligjit dhe kjo marrëveshje dhe marrëveshje të ngjashme me vende të tjera do të ndihmojnë në luftën ndaj krimit në të gjitha format”, nënvizoi Balla.
“Marrëveshjet për ekstradimet janë çështje që lidhen me fushën e përgjegjësisë së ministrisë së Drejtësisë, jo ministrisë së Brendshme. Unë fola për ekstradime dhe depërtime, pasi për ne në luftën kundër pandëshkueshmërisë qofshin depërtime, apo ekstradime, kanë një rëndësi të veçantë dhe në fakt ne përmes një niveli të ri bashkëpunimi me “INTERPOL” synojmë të rrisim forcën goditëse ndaj elementëve kriminalë që i shmangen drejtësisë, por është fushë përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë”, tha Balla.
“Ne kemi iniciuar dhe kemi iniciuar marrëveshje të ngjashme me shumë vende, por në këtë rast ka qenë pala moldave që na e ka kërkuar këtë marrëveshje”, u shpreh ministri Balla./ata