Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, propozimet e PS për ndryshimet në kodin zgjedhor reflektojnë vetëm fije për pe kërkesat e Gjykatës Kushtetuese.

E pyetur në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, nëse ka pasur diskutime për propozimin e mazhorancës për ndryshimet në kodin zgjedhor, Spiropali u shpreh se, “sigurisht ne kemi reflektuar kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të vendimeve të 2021-it dhe të 2022-it. kemi bërë çdo përpjekje që opozita, PD, si në Komisionin ad-hoc të reformës zgjedhore dhe në diskutime të tjera formale dhe informale të mund të gjejmë fjalën e përbashkët dhe veprimin e përbashkët për të çuar një kod zgjedhor, i cili do të marrë votat e kërkuara, pra shumicë të cilësuar, por në këtë pikë ku nuk kemi dakordësi për këtë çështje, sigurisht që grupi parlamentar i PS ka vendosur të çojë në Kuvend propozimet tona që reflektojnë vetëm fije për pe kërkesat e Gjykatës Kushtetuese”.

“Ne besojmë që diaspora shqiptare duhet të votojë dhe këtë duhet ta bëjmë realitet në zgjedhjet më të afërta, ndaj kemi reflektuar për vendimin  e Gjykatës Kushtetuese që e konsideron jo kushtetuese mohimin e votës për diasporën. Kemi bërë propozimet tona. një propozim, i cili është i ngjashëm me sistemet e votimit në shumë vende të tjera të BE, me postë”, u shpreh Spiropali.

“Propozimet tona janë aty, janë të thjeshta, janë lehtësisht të zbatueshme. Pra regjistrimi i atyre që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë 100 ditë përpara, fillimi i regjistrimit dhe më pas mbyllja e listave 50 ditë para zgjedhjeve. Heqja e emrit të atyre që nuk jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, por jetojnë jashtë dhe bërja të mundur e votës së tyre, e cila do të reflektojë vullnetin e atyre që vërtetë nuk jetojnë fizikisht këtu, por japin një kontribut të madh, jo vetëm ekonomik, jo vetëm financiar, por në të gjitha fushat e jetës”, theksoi Spiropali.

E pyetur nëse mendon se do t’i sigurojë 84 vota nga deputetë te opozitës apo nga partitë e vogla në Kuvend, Spiropali tha se, “nuk është qëllimi ynë, as të bëjmë llogaritarin e votave, as të gjuajmë për vota. ne besojmë që është detyrë e çdo deputeti të Kuvendit dhe çdo grupi parlamentar që të japë propozimet më të mira për të reflektuar si rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ashtu edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat  duhen zbatuar dhe më pas të shkojmë në seancë dhe t’i votojmë”.

Gjithsesi, shtoi Spiropali, ka ende kohë.

“Ne kemi sjellë në tryezë propozimet tona që bëjnë këto dy reflektime sa i takon mënyrës sesi llogariten mandatet, pra herësi dhe mënyrës sesi do të votojnë emigrantët dhe diaspora. Është me rëndësi që PD të na bashkohet dhe të japë propozimet e saj apo dhe grupe të tjera parlamentare dhe pastaj të gjitha propozimet më të mira që reflektojnë rekomandimet e ODIHR-it, reflektojnë vendimet e Gjykatës ne t’i sjellim në seancë për t’i votuar”, tha Spiropali.

“Është detyra jonë që t’i votojmë dhe është detyra jonë që të gjejmë zgjidhje për kodin e ri zgjedhor që reflekton jo vetëm natyrën e zgjedhjeve, po dhe kërkesat e institucioneve”, tha Spiropali.

E pyetur nëse me propozimet që ka depozituar dje në Kuvend PS ka hedhur në erë grupin e dialogut, Spiropali tha se, “krahasimet me hedhje në erë, përdorje baruti, dinamiti nuk kanë vend fare në këtë diskutim sepse ishim ne që e propozuam një grup dialogu brenda komisionit të ligjeve, pikërisht për të bërë të mundur diskutimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo vijnë si kërkesë e BE në kuadër të anëtarësimit apo procesit screening. Është e qartë që ne e kemi të gjithë vullnetin për ta bërë këtë debat, për t’i marrë propozimet më të mira, për të gjetur zgjidhje që shkojnë përtej interesave të një partie dhe një tjetër, se në fund me propozime ne nuk do të sigurojmë fitoret e partive. Fitoret garantohen aty në territor dhe me votë. Ne do të garantojmë rregullat e lojës dhe disa rekomandime për të rafinuar kodin zgjedhor”.

E pyetur për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, Spiropali tha se, “rekomandimi kryesor i OSBE-ODIHR-it është që të kemi depolitizim të organeve numërues. Është një nga rekomandimet kryesore dhe ne e kemi shprehur në krye të herës, sot e gjithmonë,, jemi pro de politizimit të, si organeve ashtu edhe ato të numërimit. Po ju them që ne jemi ende të gatshëm për t’u ulur edhe për të folur për rekomandimet “.

“Ne ishim në një ngushtim afati për të reflektuar këto rekomandime dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ende jemi në pritje për të marrë propozime të tjera që deri në këtë ditë nuk i kemi. Kur t’i kemi në tryezë mund të ulemi, ashtu siç ne kemi pritur me vite të tëra, dy vjet që komisioni ad-hoc, të cilin ne e ngritëm me vullnetin e mirë për të përfshirë aty opozitën të funksiononte. Për çështje të brendshme të opozitës se kush do ulej në cilën karrige këto janë çështje që dalin përtej vullnetit tonë”, tha Spiropali.

Ministrja u shpreh se, rekomandimet nuk janë vetëm çështje ndryshimesh ligjore.

“Janë edhe çështje të administratës, janë çështje të KQZ-së. Janë ndryshime që mund të bëhen me udhëzime që reflektojnë rekomandimet e tyre. Ne po flasim këtu për ndryshime ligjore që janë detyruese dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese. ne kemi vënë në tavolinë propozimet tona, kemi ende kohë për të pritur propozimet e tyre”./ata