Presidenti Bajram Begaj, mikpriti sot në një takim përfaqësues të “MÜSİAD Albania”, organizatë e sipërmarrësve të pavarur turq dhe shqiptarë në Shqipëri.
Gjatë takimit, Presidenti i Republikës theksoi se Turqia është një vend mik e aleat, si edhe partner mjaft i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë në fushën e investimeve dhe tregtisë.
President Begaj përgëzoi sipërmarrësit për hapjen e degës së MÜSİAD në Tiranë, duke e vlerësuar atë si një shtysë për rritjen e tregtisë dhe investimeve të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare dhe si një nismë nga e cila përfitojnë edhe bizneset shqiptare që synojnë të investojnë në Turqi.
Kreu i Shtetit inkurajoi përfaqësuesit e “MÜSİAD Albania” të thellojnë bashkëpunimin për tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri, që po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për investimet vendase e të huaja.
Forcimi i bashkëpunimit të investitorëve, – vlerësoi Presidenti i Republikës, sjell zhvillim të mëtejshëm e të qëndrueshëm, gjë që ndikon pozitivisht në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë./ata