Zëdhënësja e Demokratëve Euroatlantikë, Mirela Karabina, ka reaguar pas raportit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që vë në dukje se, Shqipëria është përkeqësuar në 28% të objektivave të zhvillimit dhe se arsimi ka pësuar rënien më të madhe.

Në një deklaratë për mediat, Karabina u shpreh se “Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) duke analizuar me hollësi zhvillimet në Shqipëri në lidhje me “Zhvillimin e Qëndrueshëm të Axhendës 2030” vë në dukje se Shqipëria është përkeqësuar në 28% të objektivave të zhvillimit dhe, arsimi ka pësuar rënien më të madhe. Sipas raportit, Shqipëria ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit (objektivi 4), me rënie të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor, tregues i qartë i shpopullimit të vendit, braktisjes së tij dhe plakjes së popullsisë”.

“Rezultate ndërkombëtare të PISA 2022 për nxënësit 15 vjeçar ku Shqipëria u rendit nga fundi për aftësitë e nxënësve dhe e fundit në botë për “menduarit krijues”, evidentuan gjendjen ulëritëse në arsim. Shqipëria ka pësuar rënien më të madhe të rezultateve në gjithë historinë e zhvillimit të Testit Ndërkombëtar PISA, që nga 2001”, u shpreh Karabina.

Sipas saj, këto rezultate në arsim janë një këmbanë alarmi se zhvillimi ekonomik e social i vendit është ndalur dhe e ardhmja është në rrezik.

“Nga njëra anë shpopullimi i vendit nuk po ndalet dhe nga ana tjetër, edhe kjo rini e pakët e mbetur në vend, është një rini jo mirë e arsimuar”, tha Karabina./ata