Deputeti i Partisë Socialiste, Klevis Xhoxhi prezantoi sot në Kuvend projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2023.
Projektrezoluta vlerëson ndër të tjera se është rritur numri i procedimeve penale të filluara, si dhe cilësia e hetimeve për veprat penale të dhunës në familje dhe veprave penale
ndaj të miturve.
Po ashtu ai vlerësoi se “janë normuar masa administrative dhe procedurale për nxitjen e rolit aktiv dhe ushtrimin sistematik të kontrollit efektiv nga ana e prokurorëve dhe drejtuesve ndaj oficerëve të policisë gjyqësore në drejtim të ecurisë së hetimit të procedimeve”.
“Është konsoliduar bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional me institucionet dhe
agjencitë ligjzbatuese palë në marrëveshje dy ose shumëpalëshe, me synim shtimin e
burimeve dhe partnerëve për rritjen e cilësisë dhe efektivitetit në kryerjen e hetimeve në
drejtimet prioritare të luftës kundër kriminalitetit. Është konsoliduar bashkëpunimi dhe koordinimi në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet gjyqësore të huaja nëpërmjet zyrës së Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë në Eurojust, veçanërisht në rritjen e numrit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe goditjen e krimit”, shtoi ai.
Përmes kësaj projektrezolute, Kuvendi kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të angazhohet për rritjen e numrit të hetimeve proaktive, përdorimin e teknikave të veçanta të hetimit dhe të zhvillojë përdorimin e teknikave të reja.
“Të rritë numrin e kërkesave për inspektime tematike në bashkëpunim me ILD-në, për
arritjen e standardeve të unifikuara në zbatimin e ligjit gjatë ushtrimit të funksionit,
veçanërisht zbatimin e udhëzimeve me karakter të përgjithshëm për respektimin e
garancive procedurale në procesin penal. Të vijojë puna mbi marrjen e masave efektive për mbrojtjen e viktimave të veprave penale ndaj të miturve dhe veprave penale të dhunës në familje dhe të bashkëpunojë me institucionet shtetërore që ngarkohen me përgjegjësi për mbrojtjen e këtyre kategorive sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në projektrezolutë.
Po ashtu, Xhoxhi theksoi se për vitin 2024 kërkohet nxitja e aplikimit të masave alternative të sigurimit, duke përfshirë masat shtrënguese me karakter pasuror për veprat
penale dhe autorët me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
“Të rritet angazhimi institucional në drejtim të zbulimit, gjurmueshmërisë dhe ndjekjes
penale në rastet e krimit kibernetik dhe mashtrimit në internet, me fokus të miturit. Të vijojë punën për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve, si dhe ndërlidhjes duke
bashkëpunuar me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë pranë
Këshillit të Lartë Gjyqësor. Të vijojë punën për zhvillimin dhe përfundimin e sistemit elektronik PRESTO për administrimin elektronik të regjistrave proceduralë dhe përfitimin e statistikave”, u shpreh Xhoxhi.
Po ashtu, projektrezoluta kërkon që Prokuroria e Përgjithshme të angazhohet në përmbushjen me efektivitet të detyrimeve institucionale në kuadër të raportimeve gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian./ata