Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste siguroi sot se “mandati i katërt i PS-së në qeverisje është mandati për ta mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE”.

Gjatë punimeve të Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama shprehu bindjen se mandati ynë i katërt do jetë mandati pathyeshmërisë së sigurtë të progresit të pandalshëm.

“Mandati i mbledhjes së shumë fryteve të tjera të punës së gjatë e të vështirë të këtyre viteve në drejtimin e Shqipërisë. Mandati i një pune të jashtëzakonshme për nga volumi dhe nga sfidat për ta kapërcyer kthesën e madhe historike që nisëm një dekadë më parë dhe për ta mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE”, theksoi ai.

“Sot nga kjo foltore e socialistëve dhe e progresistëve të Shqipërisë dua t’ju them të gjithë shqiptarëve që duan ta çojnë Shqipërinë bashkë me mua dhe PS në majën sfiduese të 2030, shqiptarëve që duan të japin dorën e tyre për ta ngritur në oborrin e Shteteve të Bashkuara të Europës në Bruksel flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në fund të këtij 10 vjeçari; shqiptarët që e duan Shqipërinë kampione me nam të rajonit në turizëm, prodhuese të gjelbër dhe eksportuese neto të energjisë, pikë referimi në gjithë rajonin për rritjen e pandërprerë ekonomike dhe sociale, shqiptarëve që e duan Shqipërinë Europën e Ballkanit në kuptimin e plotë të fjalës: merrni iniciativën, hidheni hapin tuaj, kërkojini PS që ta vlerësojë mundësinë e kandidimit tuaj për deputet dhe deputete të legjislaturës së ardhshme së Kuvendit të Shqipërisë”, shtoi Rama.

Sipas tij,”Kuvendit të ri nuk do i mjaftojë vetëm përvoja e domosdoshme e deputetëve me vjetërsi, e deputetëve me ndërgjegje, e deputetëve me përgjegjshmëri në përfaqësimin e PS por do t’i duhen dijet, do t’i duhen aftësitë do t’i duhet dëshira e të rinjve që do afrojmë medoemos për sprovat e mëdha të mandatit të katërt”.

Rama theksoi se fuqizimi i mëtejshëm i Partisë Socialiste në këtë fazë vendimtare për vendin nevojitet edhe për cilësinë e veçantë që duhet të ketë ligjbërja dhe qeverisja në mandatin e katërt.

“Sepse në mandatin e katërt do të jemi çdo ditë ballë për ballë me palën tjetër në Bruksel për të arritur të vulosim, më në fund, fundin e historisë së gjatë të përpjekjes shqiptare për ta parë diellin të lindë andej nga perëndon e jo me sytë e një populli që është përjashtuar nga perëndimi”, shtoi ai./ata